Alban Mansaku, 48-vjeçari që pak muaj më parë ofendoi dhe tërhoqi zvarrë nënën e moshuar, ka reaguar pas lajmit të vdekjes së saj.
Gjatë një interviste televizive ai ka treguar se nëna e tij, Razie Mansaku ka humbur jetën për shkak të problemeve me zemrën.
Ai tha se ditën e ngjarjes, ku u filmua duke tërhequr zvarrë nënën ishte i mërzitur, dhe kishte pirë alkool në një nga lokalet e lagjes. Komshiu e kishte telefonuar për ta lajmëruar se nëna e tij kishte dalë jashtë shtëpisë.
Sipas tij, e ëma nuk ndihej mirë dhe ai nuk e kishte dhunuar por e kishte tërhequr vetëm për ta futur në shtëpi. Më tej ai ka thënë se personi që kishte shpërndarë videon e kishte ofenduar edhe disa herë para ngjarjes.
“Nëna vdiq nga zemra. Unë akoma jam në arrest shtëpie prej 2 javësh. Personi që shpërndau videon me ofendonte shumë. Atë ditë isha tek lokali i lagjes, po pija raki dhe isha i mërzitur dhe ai komshiu më lajmëroi se nëna kishte dalë jashtë shtëpisë. Pasi shkova, ajo nuk po ndjehej mirë dhe e kam tërhequr vetëm që të futej në shtëpi, nuk e kam dhunuar”.
Nga ana tjetër, bashkëshortja e 48-vjeçarit ka sqaruar se në ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në Shqipëri, ndërsa ka mohuar që 48-vjeçari të ishte i alkoolizuar.
“Unë kam qenë në Itali natën e ngjarjes, nuk e di se si ka ndodhur. Shkoja mirë me nënën e Albanit. Ai konsumonte pije, por nuk është e vërtetë se ishte i alkoolizuar”.