Në Shqipëri, konsumi i veshjeve po përjeton një transformim të thellë, me një pjesë gjithnjë e më të madhe të popullsisë që preferon mallrat e dorës së dytë, në pamundësi për të përballuar çmimet e rrobave të reja. Këto produkte, të njohura si të përdorura, po bëhen zgjedhja kryesore e shumë konsumatorëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2024 importet e veshjeve të përdorura shënuan një rritje prej mbi 81%. Nga 12.2 mijë tonë të importuara në vitin 2023, kjo shifër u dyfishua në 22.1 mijë tonë vitin e kaluar. Në periudhën 2019-2023, importet ishin relativisht të qëndrueshme, rreth 12 mijë tonë në vit, por ky trend ndryshoi ndjeshëm në 2024.
Kjo rritje lidhet me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit, i cili ka zhvendosur preferencat e konsumatorëve shqiptarë drejt produkteve më ekonomike. Ndërkohë, importet e veshjeve të reja gjatë 2024-ës ranë ose mbetën të pandryshuara, duke reflektuar ndryshimet në zakonet e konsumit.
Rënia e konsumit të veshjeve të reja në Shqipëri lidhet me disa faktorë kryesorë, përfshirë tkurrjen dhe plakjen e popullsisë, si dhe rritjen e çmimeve të mallrave bazë.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe globalisht, veshjet e dorës së dytë po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara. Këto produkte ofrojnë një balancë të mirë midis çmimit të ulët dhe cilësisë së pranueshme, duke i bërë tërheqëse për grupmosha të ndryshme.
Në Shqipëri, ky trend është veçanërisht i dukshëm te popullsia në moshë pensioni, e cila konsumon më pak për veshje dhe shpesh i plotëson nevojat përmes tregjeve të dorës së dytë.
Në Europë dhe më gjerë, shitjet e veshjeve të reja kanë hasur vështirësi, edhe pse inflacioni po stabilizohet. Në Shqipëri, megjithatë, tendenca për blerjen e veshjeve të përdorura pritet të vazhdojë, duke reflektuar presionet ekonomike dhe ndryshimet demografike.