Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një banor i Golemit, i cili akuzon hotelin “Flower”, në pronësi të kryebashkiakut të Sarandës, Oltion Çaçi, për shkaktimin e një situate problematike për banorët e zonës.
Pamjet e siguruara tregojnë sesi një tub uji, i cili sipas banorit vjen nga ky hotel, derdh sasi të konsiderueshme uji në rrugë, duke e mbuluar me baltë dhe duke e bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe automjetet.
Situata përshkruhet si një shqetësim i madh për banorët, të cilët kanë tre muaj që vuajnë pasojat e kësaj problematike.
Denoncimi i plotë nga banori:
“Përshëndetje JOQ! Na falni për shqetësimin, por jam një banor dhe ju kam shqetësuar edhe një herë tjetër. Po jemi në hall të madh nga hoteli ‘Flower’, që është në pronësi të kryetarit të Bashkisë Sarandë. Po na mbyt! Kemi tre muaj që nuk kalojmë dot për shkak të tyre. Po mbytet i gjithë Golemi. Jemi në hall të madh. Ky është shteti!”
Pamjet nga videoja tregojnë qartë momentin kur uji rrjedh me forcë nga tubi, duke e kthyer rrugën në një pellg me baltë. Situata jo vetëm cënon jetesën e banorëve, por edhe tregon mungesën e veprimeve konkrete nga autoritetet për të ndalur këtë problem.
Çështja merr një peshë edhe më të madhe pasi hoteli është në pronësi të kryetarit të Bashkisë Sarandës, një zyrtar i cili duhet të jetë model për qytetarët dhe jo shkaktar i problemeve që cënojnë jetën e tyre të përditshme.
Banorët e Golemit bëjnë thirrje për ndërhyrjen urgjente të institucioneve kompetente dhe mediave, me shpresën se ky problem do të marrë zgjidhje sa më shpejt. Ata kërkojnë një reagim nga autoritetet, duke vënë në dukje se injorimi i kësaj situate do të vazhdojë të dëmtojë komunitetin.
JOQ Albania do të ndjekë me vëmendje këtë rast dhe do të informojë publikun mbi zhvillimet e mëtejshme.