Inflacioni bazë mbyll vitin 2024 me rritje, më i larti në shtatë muaj

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 20.01.2025, 12:18

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë në dhjetor 2024 arriti në 2.5%, duke shënuar një rritje nga niveli i nëntorit prej 2.34%. Ky është niveli më i lartë që nga marsi 2024. Megjithatë, në një bazë vjetore, inflacioni bazë ishte në rënie, duke zbritur nga 3.2% që kishte qenë në fund të vitit 2023.

Inflacioni bazë llogaritet për një grup mallrash dhe shërbimesh që përbëjnë 69% të peshës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK). Ai përjashton produktet me luhatshmëri të lartë, si ushqimet dhe energjia, për të pasqyruar më qartë presionet inflacioniste afatgjata. Në vitet e fundit, inflacioni bazë është ndikuar kryesisht nga rritja e kostove të punës në ekonomi.

Në dhjetor, inflacioni bazë neto, i cili përjashton edhe ushqimet e përpunuara si buka dhe drithërat, ra lehtë në 2.21%, nga 2.22% në nëntor. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues ka rënë nga niveli 3.38%. Inflacioni bazë neto mbulon 44.6% të peshës së IÇK-së.

Gjithashtu, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike mbeti në nivelin 2.2% për dhjetorin 2024. Të dhënat tregojnë se rritja e inflacionit bazë në dhjetor lidhet kryesisht me luhatjet në çmimet e ushqimeve dhe energjisë.

Sipas INSTAT, inflacioni mesatar i ekonomisë mbylli vitin 2024 në nivelin 2.1%, një rënie e ndjeshme nga 4% në fund të vitit 2023. Rënia e inflacionit gjatë vitit ishte më e madhe se parashikimet, duke ndikuar në ndryshimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2024, norma bazë e interesit u ul dy herë, duke arritur në 2.75%.

Parashikimet për vitin 2025

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë deklaroi se kushtet aktuale monetare janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2025. Sipas analizave, faktorët kryesorë të rënies së inflacionit për vitin 2024 përfshijnë uljen e çmimeve të mallrave bazë në tregjet botërore, forcimin e kursit të këmbimit dhe ecurinë e ngjashme të inflacionit në vendet partnere tregtare. Nga ana tjetër, inflacioni i brendshëm është ndikuar nga kërkesa e lartë për mallra dhe shërbime, rritja e shpejtë e pagave dhe kostot e prodhimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit