TikTok rikthehet në SHBA, Trump: Do t’u japim më tepër kohë për të shitur aksionet!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.01.2025, 20:24

TikTok ka rikthyer shërbimin e saj në SHBA vetëm disa orë pas ndërprerjes së aksesit për përdoruesit amerikanë.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë më shumë kohë kompanisë kineze ByteDance, që zotëron rrjetin social TikTok, që të gjejë një blerës të miratuar.

Pas këtij lajmi, TikTok ka nisur rikthimin e aksesit për 170 milionë përdoruesit e saj në SHBA, pasi më herët kishte ndërprerë shërbimin për shkak të një ndalimi federal që pritej të hynte në fuqi të dielën. Platforma doli jashtë funksionit në të gjithë vendin mbrëmjen e të shtunës.

Në një deklaratë të dielën, ByteDance tha se po punonte për "rikthimin e shërbimit" vetëm disa orë pasi aplikacioni ishte bërë i paaksesueshëm në SHBA.

Trump, në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social,” njoftoi se do të lëshonte një urdhër ekzekutiv të hënën për të zgjatur afatin para se të hynte në fuqi ndalimi, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe mbajtjes së TikTok aktiv për përdoruesit amerikanë.

Gjithashtu, Google dhe Apple hoqën aplikacionin nga dyqanet e tyre dixhitale për t’iu përmbajtur ligjit federal që kërkonte shitjen e operacioneve të TikTok në SHBA tek një blerës i miratuar.

“Do të nxjerr një urdhër ekzekutiv për të zgjatur periudhën kohore dhe për të siguruar që TikTok të mbetet aktiv. Amerikanët meritojnë të ndjekin inaugurimin emocionues të hënën dhe evente të tjera,” tha Trump.

Ligji aktual i jep presidentit të SHBA-së autoritetin për të dhënë një zgjatje 90-ditore nëse është në proces një marrëveshje e mundshme. Trump ka propozuar që SHBA të ketë 50% të aksioneve në një sipërmarrje të përbashkët me ByteDance, duke e konsideruar këtë si një mënyrë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të mbajtur platformën aktive.

“Pa miratimin e SHBA-së, nuk ka TikTok,” shkroi Trump në postimin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit