Dy kompani, TDT & Partners sh.p.k dhe TECHNO-ALB sh.p.k, kanë fituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një kompleksi turistik dhe rezidencial në zonën e Lëkurësit, Sarandë.
Kompanitë janë në pronësi të vëllezërve Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Dajlan Avdia është i njohur si ish-pronari i kompanisë APEX dhe ndërtuesi i kullave pranë Sahatit të Tiranës.
Ky resort është një nga më të mëdhenjtë në jug të vendit, me një sipërfaqe trualli prej 68 hektarësh, duke e bërë të krahasueshëm me projektin “Durrës Yacht & Marina” të investitorit Mohamed Alabbar.
Projekti, me një vlerë totale prej 447 milionë eurosh, do të zhvillohet në një truall prej 15.1 hektarësh dhe përfshin hotele me 5 yje, zona rezidenciale, si dhe hapësira komerciale.
Detajet e projektit “Lëkurës”
Ky projekt synon transformimin e zonës në një destinacion turistik elitar, duke përfshirë hotele, vila në shërbim të turizmit, restorante, ambiente shërbimi dhe zona për relaks e rekreacion.
Pjesa e parë e ndërtimit parashikon dy hotele me 5 yje dhe hapësira rezidenciale e komerciale, ndërsa në fazën e plotë kompleksi do të shtrihet në 67.9 hektarë.
Vendime të tjera nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS)
Në të njëjtën mbledhje, KIS miratoi statusin e investitorit strategjik edhe për një Zonë Teknologjike dhe të Zhvillimit Ekonomik (TEDA) në Xhafzotaj.
Po ashtu, u shty afati i statusit për një projekt tjetër që po zhvillohet mes Palasës dhe Drimadhës.