Luis Meçja, adoleshenti i plagosur në ngjarjen ku humbi jetën Martin Cani, është shfaqur për herë të parë në protestë. Ai u pa krah prindërve të Martin Canit dhe qytetarëve të tjerë të pranishëm. Meçja vijon të qëndrojë në versionin e tij, ku deklaron se kanë qenë dy persona me thika.
Prindërit e 14-vjeçarit kërkojnë drejtësi dhe shprehen se deri më tani nuk ka pasur reagime nga institucionet. Babai i tij thekson se janë të traumatizuar dhe bën thirrje për mbështetje ndaj kauzës.
“Heshtja vret më shumë se gjithçka. Kemi dy muaj që e përjetojmë këtë dramë të madhe dhe nuk kemi asnjë reagim, as nga prokuroria, as nga shkolla, dhe as nga shëndetësia, sepse Martini bëri xhiron e madhe të Tiranës për arsye se Spitali Ushtarak nuk kishte asnjë makineri për t’i mbajtur zemrën atij. U bëj thirrje fëmijëve shqiptarë, të bashkohemi për kauzën. Ka ardhur fundi. Fëmija është mbi të gjitha. Nuk kam fjalë, por përjetojmë një ngjarje tragjike, kemi një traumë të madhe. I bëj thirrje prindërve, institucioneve… sepse na ka kapur frika. Njëherë më ka shkuar në Prokurori dhe prokurorja më tha që do t’i shkojmë deri në fund. Por kanë kaluar dy muaj dhe asgjë,” – tha babai i Martinit.