Prindërit e Martin Canit, djalit që u vra tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, kanë protestuar përsëri, duke kërkuar drejtësi për humbjen e djalit të tyre.
Babai i 14-vjeçarit, i prekur thellë nga ngjarja, deklaroi se familja e tij po përballet me një traumë të madhe dhe net të pagjumë.
“Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe dhe nuk kemi asnjë reagim nga institucionet. U bëj thirrje të gjithë prindërve që të bashkohemi, pasi fëmijët janë mbi gjithçka. Nuk flemë gjumë, po përjetoj një ngjarje tragjike, kemi një traumë tepër të madhe. Na ka kapur frika, u bëj thirrje institucioneve që të na dëgjojnë. Prokurorja më tha se do të kemi një përgjigje e ka vetëm heshtje. Heshtja vret”, – tha ai.
Ndërkohë, nëna e Martin Canit kërkoi vetëm drejtësi, duke theksuar se asnjë institucion nuk e ka kontaktuar deri më tani.
“Kërkoj vetëm drejtësi. Askush nuk më ka kontaktuar. Mesazhet e mia i kam bërë publike dhe dua vetëm drejtësi”, – u shpreh ajo.
Prindërit vazhdojnë të kërkojnë një përgjigje për ngjarjen tragjike që u mori jetën djalit të tyre, duke kërkuar reagimin e institucioneve përgjegjëse dhe drejtësi për humbjen e tyre.