Eksportet shqiptare kanë shënuar rënie për të tretin vit radhazi në vitin 2024, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave. Të gjitha grupet e mallrave pësuan rënie, me sektorët e energjisë dhe mineraleve që shënuan uljen më të madhe prej 24%, si dhe materialet e ndërtimit dhe metalet, të cilat ranë me 22%.
Një tjetër sektor i rëndësishëm, ai i tekstileve dhe këpucëve, që tradicionalisht ka qenë shtylla kryesore e eksporteve shqiptare, regjistroi një rënie prej 17%. Ky grup ka një rëndësi të veçantë për shkak të numrit të madh të punësuarve, veçanërisht në zonat periferike dhe qytetet e vogla, ku ekonomia lokale mbështetet në aktivitetin e fabrikave fason.
Rënia e eksporteve filloi në vitin 2023, pas një periudhe rritjeje të shpejtë gjatë krizës së vitit 2022, kur çmimet e lëndëve të para u rritën ndjeshëm për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, në vitin 2024, eksportet u rikthyen pothuajse në nivelet e vitit 2021.
Rënien e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.
Forcimin e lekut kundrejt euros, që ka sjellë një efekt negativ në konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare. Ky forcim ka një ndikim të dyfishtë: nga njëra anë ul vlerën e eksporteve të matur në lekë, dhe nga ana tjetër e bën më të shtrenjtë eksportimin për tregjet ndërkombëtare.
Rënia më shqetësuese është regjistruar pikërisht në grupin e tekstileve dhe këpucëve, i cili në vitin 2023 realizoi eksporte mbi 1 miliard euro, duke përfaqësuar 28% të totalit të eksporteve. Në vitin 2024, eksportet e këtij sektori u rikthyen në nivelet e vitit 2020, periudhë e pandemisë, kur aktiviteti ekonomik ishte pjesërisht i paralizuar.
Në total, Shqipëria eksportoi 372.6 miliardë lekë mallra gjatë 2024-ës. Ndërkohë, importet arritën në 894.4 miliardë lekë, me një rritje nominale prej 2.5%. Për shkak të forcimit të lekut, rritja reale e importeve është llogaritur në rreth 12%.
Deficiti tregtar për vitin 2024 arriti në 522 miliardë lekë (rreth 5.2 miliardë euro), duke shënuar nivelin më të lartë historik të regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Ky bilanc negativ pasqyron sfidat e ekonomisë shqiptare për të mbajtur një konkurrueshmëri të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.