Në 2025 do të rriten me 15% çmimet e apartamenteve, shkak krimi dhe paraja e pistë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 18.01.2025, 10:14

Çmimet e apartamenteve në Tiranë pritet të vazhdojnë të rriten gjatë vitit 2025. Faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë trend përfshijnë rritjen e kostove të ndërtimit, pagat e punëtorëve, çmimet e materialeve ndërtimore dhe taksat për ndikimin në infrastrukturë.

Sipas Monitor, zonat më të prekura nga shtrenjtimi janë ato afër qendrës, Unazës së Vogël dhe Bulevardit të Ri, ku ndërtimet e reja dhe përmirësimet infrastrukturore po shtojnë kërkesën dhe kostot. Në disa zona të caktuara, çmimet e shitjes kanë shënuar rritje deri në 35% krahasuar me vitin 2023. Për shembull, çmimet në disa projekte rezidenciale tashmë kanë arritur deri në 3,500 euro për metër katror.

Kërkesa për blerje pronash mbetet e ulët për shkak të çmimeve të larta dhe emigrimit, veçanërisht të të rinjve. Ndërtuesit presin që kjo tendencë të vazhdojë, ndërsa një pjesë e popullsisë po orientohet drejt zgjidhjeve me qira afatgjatë. Në të njëjtën kohë, kërkesa për prona nga burime të padeklaruara financiare pritet të bjerë, pas hetimeve të fundit mbi aktivitete kriminale dhe politikën.

Ndikimi i rritjes së taksave, si ajo për ndikimin në infrastrukturë, ka shtuar presionin mbi çmimet e apartamenteve. Për Tiranën, kjo taksë llogaritet mbi çmimet e referencës, të cilat u rritën deri në 76% në disa zona që prej gushtit 2023.

Megjithëse ndërtimi i objekteve të reja vijon me intensitet të lartë, shumë prej tyre nuk përmbushin nevojat reale të popullsisë për banim apo hapësira për biznese, duke krijuar një mbingopje të tregut që nuk përkon me kërkesën reale. Për vitin 2025, çmimet e apartamenteve në kryeqytet pritet të rriten më tej, ndërsa kërkesa për to mbetet e kufizuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit