Thirrje për homazh dhe marshim: Nuk Harrojmë! Drejtësi për Martinin!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.01.2025, 23:40

Në kujtim të tragjedisë që tronditi gjithë vendin, familja e Martin Canit dhe "Prindërit për Arsim Cilësor" kanë bërë thirrje për një homazh dhe marshim publik që do të zhvillohet paraditen e nesërme, më 18 janar, pranë shkollës 9-vjeçare "Fan Noli", duke nisur prej orës 11:00.

Me sloganin "Nuk Harrojmë! Drejtësi për Martinin!", ky tubim simbolik ka për qëllim nderimin e kujtimit të Martin Canit, 14-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht pas një konflikti fatal pranë shkollës, ku u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.

Ngjarja e rëndë, e cila ndodhi më 18 nëntor të vitit të kaluar, vazhdon të ngjallë dhimbje dhe zemërim, duke nxitur kërkesa të forta për drejtësi dhe siguri më të madhe për fëmijët dhe të rinjtë.

Protesta synon jo vetëm të kërkojë drejtësi për Martinin, por edhe të hedhë dritë mbi nevojën për ndryshime të thella në sistemin arsimor dhe social, për të parandaluar dhunën dhe për të rritur sigurinë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore.

Familjarët dhe organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë marshim për të dëshmuar solidaritetin dhe për të kërkuar me zë të lartë drejtësi për viktimat e dhunës. Prania masive e qytetarëve do të ishte një mesazh i fuqishëm ndaj autoriteteve për t’u marrë seriozisht me këtë çështje dhe për të dhënë llogari mbi masat e marra.

Të gjithë pjesëmarrësit priten të grumbullohen pranë shkollës "Fan Noli" në orën 11:00, ku do të nisin homazhet dhe më pas marshimi simbolik.

Kujtojmë ngjarjen Martin Cani u godit me thikë pas një konflikti me bashkëmoshatarët e tij pranë shkollës "Fan Noli". Ngjarja tronditi të gjithë vendin, duke hapur diskutime mbi rritjen e dhunës te të rinjtë dhe sigurinë në institucionet arsimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit