Beograd/ Studentët protestojnë kundër Vuçiç, tensione në vend

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 17.01.2025, 17:55

Në disa qytete të Serbisë kanë shpërthyer protesta të reja pas një incidenti të rëndë në Beograd, ku një makinë goditi një studente 20-vjeçare. Automjeti, që hyri në turmë, përplasi studenten, e cila sipas raportimeve ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Policia serbe njoftoi se ka identifikuar dhe arrestuar shoferin e dyshuar, një 38-vjeçar me inicialet M. P., i cili dyshohet se goditi studenten dhe më pas u largua nga vendngjarja me shpejtësi. Autoritetet po hetojnë edhe praninë e dy personave të tjerë në makinë në momentin e incidentit. Pamjet shqetësuese të publikuara nga dëshmitarët tregojnë se vajza u hodh mbi çatinë e makinës nga forca e goditjes.

Protesta të tjera u zhvilluan në Kralevë, Novi Sad, Zrenjanin, Nish dhe Kragujevc. Në Novi Sad, studentët bllokuan për disa orë kryqëzimin pranë Futoshka Pijaca për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Në vijim, studentët njoftuan një tubim më të madh që do të mbahet më 17 janar, në orën 18:30, përpara ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS). Siç shprehen ata, ky tubim ka për qëllim të denoncojë “raportimin joadekuat” të këtij shërbimi publik. Organizata joqeveritare Lëvizja Ndërkombëtare Evropiane (EMI) ka mbështetur studentët dhe ka theksuar përgjegjësinë e qeverisë për ngjarjet tragjike, përfshirë vdekjen e 15 personave në stacionin e trenit në Novi Sad.

Ne qëndrojmë me studentët serbë! Ne mbështesim të rinjtë që luftojnë për të drejtat civile dhe liritë demokratike. Qeveria e Vuçiqit duhet të mbajë përgjegjësi,” – shkroi EMI në rrjetin social X.

Dikush tjetër u shpreh: “Serbia është vendi ku kam përjetuar momentet më të vështira të jetës sime, por zemra ime është me studentët dhe popullin serb. Ju jeni e ardhmja dhe meritoni më mirë. Besoj në luftën tuaj për drejtësi.

Para Gjykatës Themelore në Zrenjanin, studentët mbajtën një protestë për të dënuar tentativën e vrasjes së studentes së drejtësisë. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, dënoi dhunën ndaj demonstruesve dhe incidentin në Beograd.

Ky është një sulm i papranueshëm ndaj njerëzve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë në tubime dhe të parandalojnë incidente të tilla, ku protestuesit janë sulmuar fizikisht apo janë përballur me kërcënime si futja e makinave në turma,” – tha Picula në një intervistë.

Fakulteti i Arteve të Bukura dhe Fakulteti i Drejtësisë (FLU) dënuan ashpër dhunën ndaj studentëve, duke e cilësuar incidentin e fundit si një “vazhdim të frikshëm të sulmeve që kërcënojnë sigurinë e studentëve dhe cenojnë të drejtat e tyre themelore të garantuara me Kushtetutë.”

Në deklaratën e FLU thuhet: “Ju kujtojmë se ishte pikërisht dhuna ndaj studentëve që po bënin nderime paqësore për të vrarët në Novi Sad ajo që nxiti bllokadat studentore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit