Një lojë e pistë e "kokave të larta" ka pllakosur sërish radhët e Policisë së Shtetit, duke marrë peng karrierën dhe dinjitetin e një oficeri me përvojë. Mesditën e së mërkurës, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, dëshpërimi i një njeriu që ka shërbyer me uniformë u kthye në një britmë për drejtësi. Oficeri i Rrugores, Azbi Spahiu, u gjend papritur në qendër të një vorbulle ku ligji u thye për t'i bërë vend diktatit. Gjithçka nisi mesnatën e 11 janarit, pas një aksidenti pranë Parlamentit. Por ajo që duhej të ishte një procedurë rutinë rrugore, u kthye në një "mision" me urdhra telefonikë. Burimet tregojnë se Azbi Spahiu u gjend nën një trysni të pashembullt. Ndonëse ai vetë, me sytë e një oficeri me përvojë, e shihte se nuk kishte elementë ligjorë për arrestim në flagrancë, "shkopin e komandës" e mori Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda. Dëshmitë flasin për një përplasje mes detyrës dhe urdhrit. Spahiu tentoi të rezistonte, duke refuzuar procedimin e paligjshëm, por presioni i Prodës ishte i tillë që nuk linte hapësirë për frymëmarrje. Oficeri u detyrua të zbatonte një vendim që nuk ishte i tij. Sapo Prokuroria e shpalli arrestimin si të paligjshëm dhe skandali nisi të ziente nëpër zyra, kupola e Policisë nxitoi të fshinte gjurmët. Ilir Proda, njeriu që dyshohet se dha urdhrin, "lau duart" menjëherë. Në vend që të mbante përgjegjësi për dirigjimin e situatës, ai e dërgoi oficer Spahiun si "mish për top" përpara Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Në këto rrethana, natyrshëm lind pyetja se vetë Proda a do dalë para AMP-së për urdhrin e dhënë, apo do shpëtojë kokën siç bëri me rastin e autorit të dytë në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. JOQ ALBANIA ishte e para që zbuloi skandalin e fshehjes së autorit të dytë pasi ishte djali i një oficeri në Byronë Kombëtare të Hetimit, por Policia, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha madje edhe kryeministri Edi Rama e përgënjeshtruan me të madhe deri në kufijtë e kërcënimit, që gazetarët të mos fusin hundët në hetime. Ndërkohë që duhet thënë se ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm që policia tenton të fshehë me kërcënime gabimet, qokat dhe gjobat e saj. Gjatë verës, JOQ ALBANIA ishte e vetmja që raportoi të vërtetën në vrasjen barbare të Egli Prodës në Pogradec, por sërish kokat e larta të Policisë për të mbuluar gabimet e tyre çuan për hetim dhe pezullan vartësit e tyre që punojnë për bukën e gojës, në verë e dimër pa marrë prej muajsh shpërblimet e rrogat që meritojnë. Pavarësisht këtyre, shqetësues është fakti se raste të tilla sa vijnë e shtohen, besimi i popullit në Policinë e Shtetit zbehet e madje zhduket fare. Që policia të duartrokitet e të ketë nderime ashtu siç duhet, përgjegjësit e këtyre krimeve duhet të dalin në sheshin e gjykimit dhe ngjarjet të zbardhen ashtu siç kanë ndodhur.