Tirana qytet eskortash dhe prostitucioni, të huajt të pashqetësuar nga policia

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.01.2025, 11:22

Ditën e djeshme, Policia e Tiranës arrestoi një shtetas turk dhe procedoi 9 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni.

Shtetasi turk Isa Yaman rekrutonte shtetase të huaja, nga Kina dhe Kazakistani dhe më pas duke përdorur një faqe online i shfrytëzonte për prostitucion, duke iu siguruar klientë me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale kundrejt pagesës, në një ambient të marrë me qira nga ky shtetas.

Policia sekuestroi një shumë e konsiderueshme parash, të dyshuara të përfituara nga ushtrimi i kësaj veprimtarie, 3 celular dhe 9 karta krediti.

Por ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm.

Pak javë më parë një 35-vjeçare nga Azerbajxhani u arrestua në Tiranë pasi rekrutonte shtetase te huaja të cilat më pas i shfrytëzonte për prostitucion, me anë të një faqeje eskortash që administronte.

Aynur Hamidova kishte sjellë në Tiranë 4 shtetase nga Turqia e Azerbajxhani dhe i shfrytëzonte për ushtrim prostitucioni.

Në një rast tjetër, dy shtetase kineze nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin vajza kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen "Escort Tirana" i shfrytëzonin për prostitucion.

Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen "Escort Tirana", ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.

Lehtësisht këto mund të konsiderohen maja e ajsbergut pasi raste të tilla ka edhe më shumë.

Lehtësirat që shtetasit e huaj gjejnë në Shqipëri për ushtrimin e këtij aktiviteti të paligjshëm janë të shumta.

Si fillim, lehtësia e parë që të huajt kanë është se mund të hyjnë në territorin shqiptar si turistë dhe askush s’do i pyesë sa ditë do qëndrojnë, çfarë do bëjnë, ashtu siç ndodh me shqiptarët kur dalin jashtë.

Më pas, marrja me qira e apartamenteve për ushtrimin e këtij aktiviteti s’has asnjë vështirësi pasi të gjithë e dinë që Tirana ka stok apartamentesh të pabanuara dhe pronarët i japin me qira me rastin e parë që u vjen, pa pyetur fare për qëllimin e qiramarrësit.

Ndërkohë që reklamat në rrjetet sociale janë më vete, pasi çdokush gjen atë që kërkon pa u lodhur fare.

Por duke lënë pas këto, ushtrimi i prostitucionit ka lulëzuar me ritme të shpejta dhe rastet e zbuluara nga policia janë sporadike pavarësisht problemeve që lindin.

Banorët e pallateve ku apartamente shfrytëzohen për prostitucion por edhe rekrutimin e vajzave tē huaja, janē të shqetësuar nga ky fenomen po edhe pasojat që sjell, pasi nuk është normale që ky aktivitet të kryhet kaq hapur dhe pa frikē nga policia por edhe ndikojnë negativisht në cilësinë e jetesës dhe sigurinë publike.

Për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni kërkohet një angazhim i shtuar nga ana e institucioneve të rendit dhe një bashkëpunim më të ngushtë me komunitetin.

Por jo vetëm kaq pasi disa nga masat që mund të merren janë:

Patrullime dhe praninë më të dukshme të policisë – Rritja e pranisë së forcave të rendit në zona të prekura nga prostitucioni do të rrisë sigurinë dhe do të frikësojë individët që merren me këtë aktivitet nga mundësia e ndjekjes penale.

Rritja e kontrollit në zona të caktuara – Kontrolli i mundshëm i apartamenteve ose lokaleve të dyshimta, ku dyshohet se shfrytëzohen për prostitucion, mund të ndihmojë në zbardhjen e rasteve dhe parandaluar aktivitete të paligjshme.

Bashkëpunimi me komunitetin dhe denoncimet – Inkurajimi i qytetarëve që të raportojnë aktivitete të dyshimta mund të jetë shumë efikas. Policia mund të krijojë kanale anonime dhe të sigurta për denoncime dhe informacione.

Përforcimi i legjislacionit dhe ndjekja e përfshirësve – Është e rëndësishme që të mbështetet ligjshmëria në luftën kundër prostitucionit, duke ndjekur dhe ndëshkuar jo vetëm ata që ushtrojnë prostitucionin, por edhe ata që i rekrutojnë dhe shfrytëzojnë.

Rritja e bashkëpunimit me agjencitë ndërkombëtare – Në rastin e prostitucionit ndërkombëtar, bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare të rendit dhe organizatat jo-qeveritare mund të ndihmojë në identifikimin dhe shkatërrimin e rrjeteve të trafikut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit