“Lavatriçet pa dyer, na dredh korenti kur i hapim”, studentja denoncon kushtet në konviktet e UBT

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.01.2025, 22:46

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim shqetësues nga një studente e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) që banon në konviktet e Institutit.

Studentja ka ndarë kushtet e rënda dhe të rrezikshme me të cilat përballen ata, sidomos në lavanderinë e përbashkët.

Sipas saj, në lavanderinë e konviktit ndodhen vetëm dy lavatriçe dhe një tharëse për të gjithë studentët e shtatë kateve të ndërtesës. Kjo situatë i detyron studentët të presin deri vonë në radhë për të larë rrobat e tyre.

Për më tepër, lavatriçet janë të vjetruara dhe pa dyer. Ajo thekson se për të hapur lavatriçet, studentët janë të detyruar të përdorin kaçavida, çka shpesh rezulton në goditje elektrike.

Në mesazhin e saj, studentja shkruan:

Përshëndetje JOQ, si jeni? Jam një studente nga UBT, por jetoj te konviktet në Institut. Shikojeni pak se si është gjendja e lavanderisë kur ka raste dhe na dridhen duart nga korenti prej kaçavidës!Kemi bërë shumë herë ankesa për lavatriçe të reja dhe na kanë thënë që nuk po gjejmë dyer. Njëherë na thonë që kanë nxjerrë drejtoreshën e madhe nga puna dhe nuk dimë kujt t'i themi. Ditë pas dite po na mbajnë me gënjeshtra. Jemi shtatë kate me studente me dy lavatriçe dhe një tharëse gjithsej. Ka raste që rrimë deri në orë të vona për të pritur lavatriçen që ka zënë një person tjetër. Do ju lutesha ta postonit këtë! Faleminderit!"

Studentja ka dërguar edhe pamje që tregojnë qartë gjendjen e lavatriçeve në lavanderi dhe mënyrën e rrezikshme të përdorimit të tyre.

Kjo situatë është një pasqyrë e qartë e mungesës së investimeve në konviktet e Institutit të UBT-së.

Pavarësisht ankesave të shumta nga studentët, duket se askush nuk po ndërmerr masa konkrete për të përmirësuar kushtet. Kërkohet reagimi i institucioneve përkatëse për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e studentëve në këto ambiente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit