Shkarkohet prokurori Ervin Karanxha! Nuk justifikonte pasurinë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.01.2025, 13:35

Prokurori i Tiranës Ervin Karanxha ka dalë jashtë sistemit gjyqësor pas konstatimit të shkeljeve të rënda në deklarimin e pasurisë dhe vendimeve të cënuara në lidhje me çështjet që ka patur për gjykim.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar më 15 janar 2025 vendimin për shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Ervin Karanxha, pas një procesi të gjatë Vettingu.

Shkarkimi i Karanxhës erdhi për shkak të mosjustifikimit të pasurisë, ku KPK ka evidentuar një bilanc negativ të tij, duke u bazuar në faktin që ai kishte shpenzuar më shumë se sa kishte fituar ligjërisht.

Në vendimin e shkarkimit, KPK ka konstatuar gjithashtu mangësi serioze në hetimet e prokurorit dhe ka vlerësuar se qëndrimi i tij gjatë procesit të Vettingut ka dëmtuar besimin e publikut në drejtësi.

Gjatë procesit të rivlerësimit, Karanxha ka dështuar të bashkëpunojë plotësisht me Komisionin, duke mos iu përgjigjur në kohë pyetjeve dhe duke mos dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. KPK ka vlerësuar se kërkesat e tij të përsëritura për shtyrje të procesit ishin të qëllimshme dhe synonin të vononin përfundimin e rivlerësimit.

Në aspektin profesional, Karanxha është cilësuar i djegur, me probleme të evidentuara në hetimet që ai ka kryer, përfshirë një denoncim për mosheqjen e dorëheqjes në raste të ndërlidhura me konflikte interesi. Ndërkohë, ai ka qenë i kritikuar për mosfillimin e procedimeve për disa kallëzime penale dhe për vendime që nuk ishin mbështetur në hetime të plota.

KPK gjithashtu ka ngritur dyshime mbi një apartament të blerë nga Karanxha në vitin 2011 dhe ka konstatuar se ka pasur veprime fiktive për të justifikuar krijimin e pasurisë. Ai ka deklaruar një kredi me kushte të favorshme dhe kursime familjare si burim të financimit, por KPK ka vënë re mangësi në këtë justifikim.

Ndërkohë, bashkëshortja e Karanxhës, gjyqtarja Bernina Kondi, u shkarkua më herët nga KPK për probleme të ngjashme lidhur me pasurinë dhe praktikat e saj në blerjen e apartamenteve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit