Flet autori i krimit në Zall Bastar: E vrava se më ngacmonte gruan

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 16.01.2025, 10:32

Isuf Hasa ka pranuar autorësinë e vrasjes në Zall Bastar, duke dhënë detaje për momentet që çuan në vrasjen brutale të 81-vjeçarit Xhemal Meta.

Sipas dëshmisë së Hasës, ngjarja nisi në mëngjesin e ditës së krimit. “Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty, vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit,” – ka thënë ai.

Hasa ka treguar se në oborrin e shtëpisë së Xhemalit vuri re një çekiç dhe, i shtyrë nga mllefi i akumuluar prej kohësh, vendosi ta përdorë kundër tij. “E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte,” – ka deklaruar Hasa.

Ai ka shpjeguar se arsyeja kryesore që e çoi në këtë veprim të rëndë ishte bindja se Xhemali kishte ngacmuar bashkëshorten e tij. Hasa, i cili punon si roje nate në zonën e Dajtit, ka thënë se mungesat e tij të shpeshta në shtëpi i krijuan dyshime dhe tensione. “Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte: ‘Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas.’ Kisha kohë që nuk po e duroja dot,” – është shprehur ai.

Pas vrasjes, Hasa ka pranuar se ka marrë një shumë parash nga viktima. “E dija që kishte lekë, sepse m’i kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar te stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Pastaj shkova te shtëpia e vajzës në Vorë,” – ka rrëfyer ai.

Hasa u shoqërua fillimisht nga forcat e rendit pas ngjarjes, por u la i lirë për mungesë provash të mjaftueshme. Ai fillimisht kishte mohuar çdo përfshirje në krim. Megjithatë, pas mbledhjes së provave dhe dëshmive nga vendi i ngjarjes, policia arriti të dokumentojë përfshirjen e tij në këtë akt të rëndë.

Ngjarja vazhdon të jetë në hetim, ndërsa Hasa mbetet në paraburgim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit