Tenderi me objekt “Rikonstruksion të rrugëve të brendshme dhe shkallareve në Lagjen 'Baba Rexhepi’”, i shpallur nga Bashkia Sarandë, e drejtuar nga kryetari Oltion Çaçi, ka ngritur dyshime për paracaktim të fituesit që në fazën fillestare.
Sipas të dhënave të publikuara, fituesi i tenderit është kompania KALIVIOTI, në pronësi të Vangjel Kalivjoti, Niko Kalivjoti dhe Vangjel Kalivjoti. Vlera fituese e kontratës është 9,475,804.00 Lekë të reja pa TVSH, që përkon me rreth 115 milionë Lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë përfaqëson 94.76% të fondit limit prej 10,000,000.00 Lekë të reja pa TVSH (120 milionë Lekë të vjetra me TVSH).
Proçedura e zhvillimit të tenderit ka qenë e tipit "e hapur, e thjeshtuar," me referencën REF-27450-10-31-2024. Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me faktin se në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy firma, ndërsa fituesi është kompania që ka paraqitur ofertën më të lartë. Ky fakt shton dyshimet se tenderi është projektuar për të favorizuar një kompani specifike.
Ky tender ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe për paracaktim të fituesit, një fenomen i përsëritur që vë në pikëpyetje integritetin e procesit të prokurimit publik në vend. Kontrolli i mëtejshëm nga autoritetet përkatëse do të ishte i nevojshëm për të hetuar dhe zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.