Mbikëqyrësi i konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur një hetim për Google, gjigandin e teknologjisë, për të shqyrtuar nëse ka një fuqi të tepruar në fushën e kërkimit në internet. Aktualisht, Google përfaqëson 90% të kërkimeve në internet në Mbretërinë e Bashkuar, dhe Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) po vlerëson nëse kjo pozitë dominuese po dëmton konkurrencën ose kufizon zgjedhjet për përdoruesit.
Ky është hetimi i parë i këtij lloji pas miratimit të kompetencave të reja nga CMA, të cilat i mundësojnë autoritetit të hetojë dhe të zbatojë ndryshime në kompanitë që klasifikohen me status strategjik në tregjet digjitale.
Sipas deklaratave të CMA, një nga çështjet kryesore të hetimit është nëse Google po siguron rezultate të drejta dhe cilësore në kërkimet e tij.
Nga ana e saj, Google ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet, por ka theksuar se çdo hetim duhet të kryhet brenda kufijve të arsyeshëm.
Njoftimi i CMA për këtë hetim, i cili do të zgjasë 9 muaj, përkon me hyrjen në fuqi të një regimi të ri për konkurrencën në tregun digjital në janar. Gjatë këtij procesi, do të shqyrtohet nëse Google po përdor pozicionin e tij dominues për të penguar konkurrencën dhe për të ndikuar në tregun e lirë. Po ashtu, hetimi do të përfshijë vlerësimin nëse kompania po përdor të dhënat e përdoruesve pa miratimin e tyre.