Vrasja e 33-vjeçarit shkodran: Familja e autorit ngujohet, pajtuesit e gjaqeve nisin misionin

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.01.2025, 13:35

Në fshatin Dragoç të Postribës, familja Hasaj është ngujuar pasi dy djemtë Arjol dhe Klisman Hasaj ndodhen në burg për vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj.

Babai i dy djemve, por edhe kryefamiljari Rustem Hasaj ka treguar se familja e tij me 7 anëtarë është ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Në gjendje të rënduar emocionale ai ka kërkuar falje dhe ndihmë pasi nuk ka as bukë për familjen.

Ai shprehet i tronditur për ngjarjen që ka ndodhur pasi thotë se me familjen Mataj nuk kanë patur kurrë probleme.

“Unë jam Rusem Hasaj nga fshati Dragoç. Babai i dy djemve që janë të arrestuar. Sot me këtë fatkeqësi që na kanë ndodhur dy palëve, unë e kam bërë dhe një deklaratë, kam kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit. Sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin, se më ka lënë me 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët. Prandaj ju falënderoj juve si gazetarë që keni ardhur. Nuk kam asnjë lloj dijenie, por e ka çuar Zoti të ndodhë, rreziku im dhe i tij. Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time. Ka ardhur e papritur. Jam vetë i shtati, kam një grua të sëmurë. Kam nusen e djalit, kam 4 fëmijët e djalit që i kam sot në mbijetesë se nuk jam i zoti as me i fitu bukën, as me i marr ilaçet, as me i çuar në shkollë, se nuk kam asnjë të ardhur, as asistencë, as ndihmë prej shtetit. Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. Unë jam i ngujuar. Jam në gjendje të mjeruar nga ana e ekonomisë. Kurrkujt mos i raft kjo punë”, tregoi ai.

Hasaj rrëfeu se me babain e viktimës kanë qenë në një klasë për 8 vite dhe ngjarja e ka shokuar.

“E kam njohur, e kam pasur shoqëri, kam qenë 8 vjet në një klasë me të dhe s’kemi pasur mosmarrëveshje kurrë me të dhe as me fisin e tij. As me një në katun”.

Për këtë situatë është vënë në dijeni edhe kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit, Dedë Shullani. Ai thotë se bashkë me anëtarët e kësaj shoqate po punohet që të rifillojë komunikimi mes familjeve.

“Kjo është fatkeqësi, nuk e do kurrkush që t’i ndodhë ky problem. Ne si shoqatë pas një jave dolëm dhe komunikuam me familjen që i ka ndodhur problemi dhe fatkeqësia me qëllim që mes dy familjeve me kalimin e kohës dhe me qetësimin e gjendjes me ulur komunikimin e këto dy familjeve që ta rrisim një pikë qëllimi që t’i lemë familjet të jetojnë në paqe. Familja e tij ishte në një gjendje katastrofike, njerëz me probleme ekonomike, pa shtëpi, pa ekonomi. Sipas dijenisë së babait, thoshte nuk jam në dijeni për ngjarjen që më ka kryer fëmija. Ishte i përulur, ishte i mërzitur, edhe nuk e di çfarë të them, por një familje në gjendje shumë të lodhur ekonomike. Ne si misionarë deri në fund nuk do t’i ndajmë vizitat në këto familje derisa të gjejmë një rrugë komunikimi për të mirën e të dyja palëve”, tha ai.

Fenomeni i gjakmarrjes vijon të jetë shqetësues për të gjithë veriun e vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit