Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 13 Janar, ku 81-vjeçari Xhemal Meta u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar.
I moshuari që ishte nisur për në kafenenë e fshatit u gjet i pajetë dhe me dëmtime të shumta në kokë. Ekspertiza mjekoligjore ka zbuluar se dëmtimet në pjesën e pasme të kokës janë shkaktuar nga goditje me sende të forta.
Në prokurori materialet janë referuar për veprën penale “Vrasje me dashje”. Deri më tani policia nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje, por edhe motivet e saj mbeten të paqarta.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë me datë 13.01.2025, i cili bën fjalën për gjetjen pa shenja jete të shtetasit Xh.M, në oborrin e banesës së tij, në Zall-Bastar, ju bëjmë me dije se: Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake si dhe ekzaminimit mjeko-ligjor ka rezultuar se shtetasi Xh.M, ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara të shkaktuara nga goditje me sende të forta. Paraprakisht, në lidhje me këtë ngjarje nga ana e DVP Tiranë, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor dhe për përcaktimin rrethanave konkrete të ngjarjes dhe shkaqeve të humbjes se jetës së shtetasit Xh.M.