Kryeprokurorja belge, Ann Fransen, në një intervistë për gazetën “De Morgen”, ka zbuluar detaje mbi dosjet që po heton prej marrjes së detyrës, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar shqiptar. Ajo vuri theksin tek rëndësia e thyerjes së platformës së koduar “SKY ECC”, e cila ka zbuluar raporte tronditëse mbi dhunën ekstreme të bandave.
“Në luftën kundër mafies së kokainës, muajt e fundit jemi fokusuar fuqishëm në rikuperimin e aseteve kriminale. Fitimet nga trafiku i drogës shpesh zhduken jashtë vendit: në Marok, Shqipëri, Emirate. Ne jemi një hap më tej me shqiptarët. Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të fitojë terren. Kjo u duk nga thyerja e shërbimit të koduar të mesazheve ‘Sky ECC’. Hetuesit hasën në raporte tronditëse, të cilat tregonin se bandat nuk i shmangen dhunës ekstreme”, – tha Fransen.
Kryeprokurorja theksoi se drejtësia belge ka qenë vendimtare në kërkesat për arrestimin e disa grupeve të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të kokainës në Shqipëri. Sipas saj, këto grupe jo vetëm që kanë lidhje me pushtetin, por përdorin këto lidhje për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe investimeve strategjike.
“Ne duam të arrijmë këtë edhe në Emirate. Ne duhet jo vetëm të sigurojmë që ata të dorëzojnë pasuritë me vlerë të lartë, por edhe që ne të mund të rikuperojmë asetet e tyre të paligjshme”, – përfundoi Fransen.