Tirana, ndër 10 qytetet më të shtrenjta të Europës për blerje apartamentesh, çmimet si në Madrid

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 15.01.2025, 10:11

Tirana vazhdon të renditet ndër 10 qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së pronave, për shkak të çmimeve të larta të apartamenteve dhe të ardhurave të ulëta të shqiptarëve. Sipas të dhënave të Numbeo për vitin 2024, një familjeje i nevojiten 15.3 vite të ardhura për të blerë një apartament 90 m², duke e vendosur kryeqytetin shqiptar në vendin e nëntë në Europë. Ndërkohë, në Lisbonë, qyteti më i shtrenjtë, nevojiten 19.5 vite.

Në Tiranë, çmimet e apartamenteve në qendër shkojnë deri në 5,500 euro/m², ndërsa në zonat periferike variojnë nga 1,100 deri në 2,000 euro/m². Për krahasim, në Madrid çmimet arrijnë në 6,416 euro/m² në qendër dhe 3,779 euro/m² në periferi.

Shumë shtete europiane po ndërmarrin masa fiskale për të frenuar krizën e strehimit. Në Spanjë, propozohet vendosja e një takse 100% për blerësit jashtë BE-së, me qëllim uljen e çmimeve për vendasit.

Pagat mesatare në Shqipëri mbeten të ulëta për të përballuar çmimet e larta të banesave. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në tremujorin e dytë të 2024 ishte 75,114 lekë, ndërsa rreth 45% e të punësuarve marrin më pak se 50,000 lekë. Për krahasim, në Spanjë, paga mesatare mujore bruto për 2024 ishte 2,225 euro.

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë shënuar rritje të ndjeshme, veçanërisht në periferi, ku projektet infrastrukturore kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës dhe çmimeve. Në zona si Fresku, Astiri dhe Paskuqani, çmimet janë rritur nga 15% deri në 35% në krahasim me vitin 2023.

Çmimet e larta të banesave dhe të ardhurat e ulëta po përkeqësojnë mundësinë e blerjes së pronave për shqiptarët, ndërsa familjet gjithnjë e më shumë e kanë të pamundur të plotësojnë nevojën për strehim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit