Pas një historie të gjatë kontratash me vlerë mbi 70 milionë euro nga institucionet publike, kompania “2T” e Artan Sakos ka fituar një tjetër tender të rëndësishëm, këtë herë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në garën me një vlerë limit prej 3.95 milionë euro, bashkimi i kompanive “K.A.E.XH” shpk, “2T” shpk dhe “A.E.S.S” shpk u shpall fitues, duke ofruar 3.71 milionë euro pa TVSH ose rreth 4.5 milionë euro me TVSH. Oferta tjetër në këtë proces ishte ajo e kompanisë “ULZA”, që kishte propozuar çmimin 3.89 milionë euro pa TVSH.
“2T” është një kompani e njohur për marrëdhëniet e saj të afërta me institucionet qeveritare. E zotëruar nga Artan Sako dhe Dritan Troksi, të cilët ndajnë nga 50% të aksioneve, kompania ka qenë shpeshherë në qendër të akuzave të opozitës për favore nga qeveria. Artan Sako, i cili është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Gramos Sako, u thirr nga SPAK dy muaj më parë, megjithatë arsyet e kësaj thirrjeje nuk u bënë publike.
Tenderi dhe projekti
Tenderi i fundit ka për qëllim rikonstruksionin dhe përshtatjen e një godine disa-katëshe, që fillimisht ishte ndërtuar për administratën e Ujësjellësit të Tiranës. Godina, e ndodhur pranë Gjykatës së Posaçme, është transferuar nën administrimin e SPAK pas një marrëveshjeje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës.
Projekti përfshin transformimin e brendshëm të objektit për të përmbushur kërkesat e Prokurorisë së Posaçme dhe ndërtimin e një tuneli mbi-tokësor që do të lidhë godinën e re me Gjykatën e Posaçme. Rikonstruksioni është miratuar nga qeveria me një buxhet të dedikuar për SPAK-un.
Ndërkohë, fitimi i këtij tenderi ka nxitur reagime nga opozita, e cila vazhdimisht ka akuzuar qeverinë për favorizimin e kompanive të caktuara, përfshirë “2T”.