Gjatë fundjavës që lamë pas, i gjithë vendi u përfshi nga reshjet e shiut dhe dëbora që shkaktuan probleme të shumta në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore, por jo vetëm.
Ditën e sotme kushtet atmosferike janë përmirësuar, por banorët, kryesisht të fshatrave të thella, vijojnë të kenë ende probleme.
Në njësitë administrative Shishtavec dhe Zapod situata paraqitet më problematike, pasi banorët e fshatrave Orgjost dhe Oreshkë kanë 3 ditë të izoluar dhe bllokuar nga bora.
Edhe pse këto fshatra tani kanë vetëm të moshuar e fëmijë, asnjë borëpastruese nuk është paraqitur për të hapur rrugët. Banorët po përpiqen që në kushte rrethanore të hapin rrugën pasi nëse presin zgjidhje nga bashkia, do i mbulojë bora e dytë dhe askush s'do e marrë vesh.