Nuk deklaroi 3.7 milionë € të ardhura, shpallet në kërkim administratori i ‘Buzi Sport’

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.01.2025, 11:41

Oltion Buzi, administratori i firmës ‘Buzi Sport’ ose siç reklamohet në rrjetet sociale 'Buzi Store' është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka fshehur 3.7 milionë euro të ardhura.

Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin për evazion fiskal ndaj firmës ‘Buzi Sport’ pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në 8 adresa të lidhura me subjektin janë konstatuar shkelje lidhur me fiskalizimin.

Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar prova materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe shuma monetare në valuta të ndryshme, që arrijnë në vlerën e 8.000.000 lekëve, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes një platforme online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat kishin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara.

Po ashtu, hetuesit kanë ngritur dyshime se në disa raste, ‘Buzi Sport’ ka lëshuar fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore. Hetimet për këtë çështje janë duke vazhduar.

Pak ditë më parë, 'Buzi Store' ka njoftuar klientët e saj në rrjetet sociale se dyqanet do jenë të mbyllura për disa kohë duke përdorur procesin e inventarizimit si shkak.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit