Denoncimet e shqiptarëve për kompaninë e sigurimeve "Ansig" vazhdojnë të shtohen.
Së fundmi, një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar praktikat e mashtrimit dhe vonesat e pajustifikuara që kjo kompani tregon gjatë procesit të dëmshpërblimit. Sipas qytetarit, ai ka pësuar një aksident me makinë më 8 maj 2024, por "Ansig" nuk i ka dhënë ende dëmshpërblimin me vlerë 95000 lekë të reja, që i takon.
Ai tregon se ka kontaktuar disa herë me kompaninë, por prej tetë muajsh dëmshpërblimin që i takon nuk e merr dhe përgjigja e vetme që i jep kompania është e njëjtë: "Interesohuni te financa".
Ky nuk është një rast i izoluar, pasi shumë shqiptarë kanë denoncuar të njëjtën kompani të sigurimeve, të cilën e ka në pronësi deputeti socialist Anastas Angjeli, për mashtrime dhe vonesa të vazhdueshme në procesin e dëmshpërblimit. Disa qytetarë kanë dyshime të forta se kompania mund të ketë falimentuar, pasi ata kanë mbi një vit që presin të marrin dëmshpërblimet e merituara sipas kontratës, pa marrë asnjë rezultat.
Qytetarët akuzojnë Angjelin, ish-ministër dhe drejtues të kompanisë, se vazhdon të marrë para nga shqiptarët për sigurime, por nuk u jep asnjë dëmshpërblim atyre që kanë pësuar aksidente dhe që kanë paguar për shërbime sigurimi. Në këtë kontekst, Angjeli përveçse merr para nga shqiptarët si deputet i Kuvendit, iu zbraz edhe xhepat me anë të kompanisë së tij të sigurimeve.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime dhe ka shtuar zemërim tek shumë qytetarë, të cilët kërkojnë veprime të menjëhershme për të ndaluar mashtrimet dhe zvarritjen e procesit të dëmshpërblimit.
Denoncimi i qytetarit:
Kam bere nje aksident me date 8 maj 2024 Dhe akoma nuk e kam mar demshperblimin prej 95000 lek te reja... Kan 8 muaj qe me kthejne te njejten pergjigje:"Pershendetje ju lutem do interesohemi perseri tek financa per dosjen tuaj sapo te konfirmohet data nga ana e tyre do ju informojme ne"