Një tjetër skandal ka dalë në pah lidhur me një tender të dhënë nga Bashkia Tiranë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt "Shporta e Bebes", me një vlerë prej 24,840,000 lekë të reja pa TVSH, që arrin rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Fituesi i këtij tenderi është kompania FUFARMA, në pronësi të oligarkut Isuf Berberi, i cili zotëron 94.65% të aksioneve.
Sipas dokumenteve, procedura ka qenë e hapur, por në tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, nga të cilat ka fituar ajo që ka dhënë ofertën më të lartë, gati 60 milionë lekë më shumë, duke ngjallur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit. Vlera fituese e tenderit përfaqëson 99.96% të fondit limit, një përqindje tepër e lartë që zakonisht nënkupton mungesë konkurrence reale dhe mundësi për manipulime.
Ky tender ka ngritur dyshime të mëdha për transparencën dhe ndershmërinë e procedurës. Mungesa e konkurrencës dhe fakti që kompania fituese ka ofruar një vlerë pothuajse të barabartë me fondin limit sugjeron se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar që në fillim. Për më tepër, përfshirja e një personi me të kaluar problematike si Isuf Berberi thellon shqetësimet për keqpërdorimin e fondeve publike.
Emri i Isuf Berberit nuk është i panjohur për publikun dhe institucionet shqiptare. Ai është një oligark që ka shkaktuar një dëm prej 1.5 milionë dollarësh ndaj shtetit shqiptar. Berberi është pronar i disa bizneseve, përfshirë kompaninë Phoenix Petroleum, në ortakëri me Naim Kasën. Kjo kompani ka shfrytëzuar disa puse nafte në Shqipëri në bazë të marrëveshjeve me qeverinë, por pa kryer investimet e premtuara.
Berberi është akuzuar për "mashtrim me pasoja të rënda", por ka arritur t’i shpëtojë drejtësisë. Fillimisht, ndaj tij ishte vendosur masa “arrest në burg”, por më vonë ai u lirua nga akuzat, duke shtuar edhe më shumë pikëpyetje mbi mbrojtjen politike që mund të ketë pasur.