Detaje të reja janë zbardhur nga atentati që ndodhi pasditen e sotme në autostradën Fier-Vlorë, ku mbeti i vrarë 30-vjeçari nga Rrësheni, Kristjan Marku, i cili u qëllua me breshëri plumbash teksa po udhëtonte me një mjet tip “Volkswagen” pranë një karburanti në Novoselë, duke mbetur i vdekur në vend.
Raportohet se Marku, i njohur ndryshe edhe si Kristjan Bardhi, është akuzuar për përfshirje në atentatin e dështuar ndaj Sajmir Reçit, nipi i Kastriot Reçit. Ky i fundit u vra me snajper në mes të qytetit të Rrëshenit 5 vite më parë.
Gjithashtu është përfolur se Kristjan Marku është përfshirë gjithashtu në vrasjen e Kastriot Reçit.
Sajmiri arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërkohë që disa muaj më pas, Martin Bardhi u vra në një kafene të qytetit, sapo kishte dalë nga burgu.
Përveç veprës penale "Vrasje me dashje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë", 30-vjeçari është akuzuar dhe për "Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Mësohet se Kristjan Marku është përfshirë në përplasjen e përgjakshme midis fiseve Reçi dhe Bardhi. Ai ishte nipi i Martin Bardhit, i njohur ndryshe si Marjan Marku.
Martin Bardhi përmendet shpesh edhe në lidhje me vrasjen e Kastriot Reçit, që u ekzekutua me snajper në qendër të Rrëshenit. Konflikti mes familjeve Bardhi dhe Reçi dyshohet se ka rrënjë disa vite më parë, kur një sherr banal për një parakalim të gabuar nga djali i Martin Bardhit u shndërrua në përplasje të përgjakshme.