Vrasja e Bujar Nasufit në Tiranë, e cila ndodhi mbrëmjen e djeshme, po hetohet nga policia, por jo me intensitet të lartë. Viktima, Bujar Nasufi, u qëllua me armë zjarri ndërsa ishte në makinë, pranë banesës së tij në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta”.
Ndërkohë, edhe pse zona ku ka ndodhur ngjarja është shumë e populluar dhe me kamera, Policia ka gjetur vetëm një motor të djegur që dyshohet se i përket autorit të krimit dhe aktualisht po i nënshtrohet një ekspertize të thelluar për të mbledhur prova.
Sipas hetimeve, nga kamerat e sigurisë ka dalë në dritë informacioni se autori ka pritur viktimën në afërsi të banesës së tij dhe e ka qëlluar sapo Nasufi ishte ndarë nga gruaja e tij, që kishte zbritur nga makina dhe po ecte drejt shtëpisë.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.