Në Lezhë mijëra familje janë pa energji elektrike që prej mëngjesit të ditës së djeshme kur nisi edhe stuhia, me erë të fortë e reshje shiu e dëbore.
Era e fortë ka shkaktuar probleme të shumta në rrjetin elektrik dhe ditën e sotme, një shtyllë në Torovicë është thyer në mes duke rrezikuar edhe jetën e drejtuesve të mjeteve.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë mund të shihet se si shtylla e thyer ka mbetur e varur në mes të rrugës, teksa makinat duhet të lëvizin me kujdes për të shmangur prekjen me telat që përcjellin energji elektrike.
Shumë lagje të qytetit, por edhe Shëngjini vuajnë nga mungesa e dritave, ndërsa situata paraqitet më problematike në zonat e thella malore ku ndërhyrja dhe asistenca nga OSHEE janë të pamundura.
Ndërkohë që për shkak të motit të keq me erë, gjatë natës janë rrëzuar dy pemë në oborrin e spitalit rajonal të Lezhës duke dëmtuar disa automjete të parkuara si dhe një objekt që ndodhej aty pranë.