Kushtet ekstreme të motit, era e fortë dhe reshjet e dendura të dëborës kanë paralizuar gjithë vendin ditën e sotme.
Për pasojë, në disa zona të Lezhës është shkëputur energjia elektrike, pasi era e fortë ka rrëzuar linjat elektrike.
Po ashtu, janë regjistruar ndërprerje edhe në qytetet e tjera si Berat, Fier, Dibër dhe në Laknas.
“Kemi që në 10 të mëngjesit pa drita në Laknas. Detyrohemi të rrimë në makinë se në shtëpi nuk kemi ngrohje, për më tepër jemi me fëmijë të vogël”, shkruan qytetari.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë marrë masa të stabilizojnë situatën dhe OSHEE injoron ankesat e qytetarëve.
“Kemi marrë me dhjetëra herë OSHEE në telefon dhe thonë gjithmonë: ‘Ka defekt linja juaj’. I njëjti muhabet si në ditë me diell dhe me shi, ndërkohë fatura e dritave çdo muaj na vjen 100 e sipër. 170 kemi paguar në dhjetor”, vazhdon qytetari.