“Edhe pastruesit marrin më shumë”, mjekët e urgjencës në Laç bojkotojnë për pagat

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 11.01.2025, 17:54

Shërbimi i urgjencës në Laç po përjeton një krizë të re, pasi mjekët e jashtëm kanë vendosur të bojkotojnë punën për shkak të uljes drastike të pagesave.

Dikur paguheshin 4,500-5,300 lekë për një turn 24-orësh, ndërsa tani oferta "bujare" është 1,700-2,600 lekë, më pak se një ditë pune në ndërtim apo për pastrim. Mjekët thonë se nuk është çështje dëshire, por dinjiteti, pasi nuk mund të pranojnë të punojnë në kushte të tilla kur edhe puna krahu vlerësohet më shumë.

“Nuk është një ambulancë e zakonshme, por qendër e rëndësishme urgjence. Shërbimi është për një komunitet të madh dhe urgjenca mund të kryejë mbi 120 vizita në ditë. Të punosh 24 orë për vetëm 2,600 lekë është e papranueshme,” u shpreh njëri prej tyre.

“Ne kërkojmë që shteti të na vlerësojë për punën dhe lodhjen tonë. Nuk është çështje dëshire, por dinjiteti. Nuk mund të pranojmë një trajtim të tillë, kur edhe për punë krahu paguhet shumë më tepër. Sot, edhe për të pastruar oborrin, nuk vjen askush pa 4,000 lekë”, u shpreh një mjek tjetër.

Si rezultat, urgjenca e spitalit, që mbulon rreth 74 mijë banorë, po funksionon me staf të reduktuar dhe mjekët e brendshëm po mbajnë mbi supe një barrë edhe më të rëndë.

Përveç emergjencave të zakonshme, ata duhet të mbulojnë pediatrinë, obstetrikën dhe mungesën e specialistëve si radiologu e eko-abdominali pas orës 14:00. Në këtë kaos, mjekët kanë kërkuar një takim me drejtuesit, por, siç ndodh rëndom, përgjigjja ka qenë heshtja.

“Kemi kërkuar mbledhje me drejtuesit dhe mjekët e brendshëm e të jashtëm, por deri më tani nuk është realizuar. Askush nuk na ka thirrur për diskutime”, u shpreh mjeku.

Në një sistem ku premtimet politike për përmirësimin e shëndetësisë janë të përhershme, por mjekët paguhen si punëtorë sezonalë, nuk është çudi që bojkoti po merr hov.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit