Këtë javë, drejtori ekzekutiv i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg, njoftoi plane për të zgjeruar lirinë e shprehjes në Facebook dhe platformat e tjera që ajo zotëron. Sipas Zuckerberg, këto ndryshime do të përqendrohen në heqjen e kufizimeve për tema të ndjeshme si emigracioni dhe identiteti gjinor, duke synuar kthimin në “rrënjët” e kompanisë lidhur me lirinë e shprehjes.
Kjo lëvizje vjen pas kritikave të përsëritura nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe figura të tjera konservatore, të cilët kanë akuzuar Meta-n për censurë ndaj përmbajtjeve të djathta. “Është koha për t’u kthyer në bazat tona dhe për të garantuar lirinë e shprehjes për të gjithë,”- tha Zuckerberg.
Trump e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një hap pozitiv: “Ata kanë bërë përmirësime të mëdha,” – deklaroi ai.
Në një lëvizje të rëndësishme, Meta njoftoi gjithashtu mbylljen e programit të saj të verifikimit të fakteve në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm në Shtetet e Bashkuara. Në vend të tij, kompania do të mbështetet te përdoruesit e saj për të identifikuar postimet që kërkojnë verifikim.
Vendimi ka ngjallur reagime të ndryshme nga aktivistët dhe organizatat joqeveritare. Ava Lee nga organizata “Global Witness” paralajmëroi për rreziqet e mundshme: “Ky vendim mund të përkeqësojë gjendjen për grupet e cenueshme si gratë, njerëzit me ngjyrë, komunitetin LGBT+ dhe aktivistët e klimës, të cilët tashmë përballen me diskriminim dhe sulme në internet.”
Nga ana tjetër, disa analistë e shohin vendimin si një manovër strategjike. “Industria e teknologjisë mund të përdorë këtë përafrim me administratën Trump për të arritur qëllime afatgjata, si hyrja në tregun kinez,” – tha Kate Klonick nga Universiteti St. John’s.
Ndërsa kompania përgatitet për implementimin e këtyre ndryshimeve në javët e ardhshme, mbetet për t’u parë nëse kjo qasje e re do të ketë ndikim pozitiv apo do të përkeqësojë sfidat ekzistuese për lirinë e shprehjes dhe barazinë në platformat dixhitale.