“TikToker”-ja nga Kurbini Lulkuqe Paja ka rrëfyer për mediat historinë e saj të dhimbshme me bashkëshortin e saj.
Personat që përdorin rrjetin social TikTok e njohin atë dhe janë të familjarizuar me historinë e saj të veçantë dhe të trishtë. Bëhet fjalë për Lulkuqe Pajën, vajzën nga Kurbini e cila u bë virale për performancat e saj pa ndrojtje në publik, duke fituar epitetin “valltarja e TikTok-ut”.
Lulkuqe Paja dhe vëllezërit e saj mbetën jetimë ku i vdiq e ëma dhe i ati në atë kohë hodhi akuza të rënda ndaj mjekut Edmond Gashi. Më pas edhe Sinan Paja vdiq duke i lënë fëmijët në mëshirë të fatit.
Së fundmi, jeta e saj private është bërë temë diskutimi në rrjet ku janë zbuluar detaje të dhimbshme. Lulkuqja ndodhet në muajin e gjashtë të shtatzënisë, por fatkeqësisht babai i fëmijës e ka braktisur.
Ajo tregoi se lidhja me bashkëjetuesin nisi në një lokal ku punonte si kërcimtare, pasi ishin prezantuar nga kunati i saj.
“Unë jam njohur me bashkëjetuesin në një lokal ku unë punoja si kërcimtare. Atë natë kunati im na prezantoi. Ne filluam bashkëjetesën direkt pas njohjes. Ai nuk rrinte shumë shpesh tek shtëpia pasi shkonte edhe te shtëpia e prindërve,” tha ajo.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre u përkeqësua për shkak të kundërshtimit të prindërve të tij, të cilët nuk e pranonin si nuse për shkak të famës që kishte fituar në TikTok. “Prindërit e tij i njoh vetëm nëpërmjet fotografisë, pasi nuk i kam takuar kurrë sepse ato nuk ishin dakord për lidhjen tonë pasi unë isha e famshme dhe kisha TikTok,” shtoi Lulkuqja.
Gjërat u rënduan edhe më shumë kur ajo mësoi se partneri vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe filloi të ushtronte dhunë ndaj saj, edhe gjatë shtatzënisë. “Nuk e dija që vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ai filloi të ushtronte dhunë edhe kur isha shtatzënë. Në dhjetor u largua nga shtëpia dhe që atëherë nuk ka ardhur,” tha ajo.
Sot, Lulkuqja jeton në kushte të vështira, së bashku me kushëririn e saj, buzë rrugës. Kërkesa e saj e vetme është një banesë ku të mund të jetojë me fëmijën e saj që pritet të vijë në jetë. “Unë dëshiroj një banesë që të jetoj me fëmijën tim dhe vëllanë,” përfundoi ajo rrëfimin.