Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituesin e një tenderi për ndërtimin e një depoje logjistike në Repartin Ushtarak nr. 1030, Poshnje, Berat. Procedura e tenderit, me një fond limit prej 64,397,202 lekësh të reja pa TVSH (rreth 770 milionë lekë të vjetra me TVSH), ka përfunduar me shpalljen fitues të kompanisë LLAZO, në pronësi të Anea Llazi dhe Aldi Llazi. Oferta fituese është 56,367,049 lekë të reja pa TVSH (rreth 680 milionë lekë të vjetra me TVSH), që përbën 87.5% të fondit limit.
Pavarësisht kësaj, procesi ka ngritur dyshime serioze për parregullsi. Në garë kanë marrë pjesë 7 kompani, nga të cilat 4 kompani kanë ofruar vlera më të ulëta se oferta fituese, por janë skualifikuar për arsye të paqarta. Kjo ka shtuar dyshimet për një skemë favorizimi, duke hedhur hije mbi transparencën e procesit.
Ndërkohë, pyetjet për përfitimet personale të zyrtarëve shtetërorë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, mbeten të hapura. A është ky një rast i pastër abuzimi me fondet publike? Sa para mund të jenë futur në xhepat e zyrtarëve nga ky tender?
Opinion publik kërkon hetim të thelluar për të zbardhur nëse ka pasur shkelje ligjore dhe për të siguruar që fondet publike të mos përfundojnë në skema korruptive. Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet përkatëse duhet të japin llogari për këtë proces të dyshimtë dhe të sigurojnë transparencë të plotë për publikun.