Eksportet ndikojnë negativisht ekonominë në vend

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 10.01.2025, 12:22

Kontributi i eksporteve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ka shënuar një rënie të vazhdueshme, ndërsa importet kanë njohur një rritje të konsiderueshme. Sipas matjeve të PBB-së me metodën e shpenzimeve, ndikimi i eksporteve të mallrave në rritjen ekonomike ishte negativ me -4.4% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024.

Rënia e eksporteve është një trend që vazhdon që nga tremujori i parë i vitit 2023, periudhë kur njësitë prodhuese në vend nisën të përballen me humbje për shkak të ndryshimeve në kursin e këmbimit. Ndërkohë, importet kanë marrë një hov, duke regjistruar një ndikim pozitiv prej +9.8% në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të tretë 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje lidhet me dobësimin e kapaciteteve prodhuese vendase dhe shtimin e vizitorëve të huaj, që ka rritur kërkesën për mallra të importuara.

Nga viti 2020 deri në tremujorin e parë të 2023, eksportet kishin një ndikim pozitiv në ekonominë shqiptare. Por, pas kësaj periudhe, ato filluan të bien, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Në 11-mujorin e vitit 2024, eksportet e mallrave arritën në 347 miliardë lekë, duke rënë me -13.9% krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, importet u rritën në 816 miliardë lekë, një rritje prej 2%. Deficiti tregtar arriti në 469 miliardë lekë, me një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2023.

Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar negativisht eksportet është forcimi i lekut ndaj euros. Ndërmjet viteve 2021 dhe 2023, lek-u është forcuar me rreth 18%, duke i bërë mallrat dhe shërbimet shqiptare më të shtrenjta për blerësit e huaj. Kjo ka ulur konkurrencën e eksporteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe ka zvogëluar kërkesën për to.

Për më tepër, eksportuesit që operojnë me pagesa në euro, por kanë shpenzime në lek, po përballen me humbje të mëdha për shkak të konvertimit të monedhës. Kjo situatë ka ulur marzhet e fitimit dhe ka dekurajuar investimet në sektorët prodhues. Industria e tekstileve dhe këpucëve është ndër më të prekura, pasi këto sektorë janë të orientuar kryesisht nga eksportet.

Nga ana tjetër, forcimi i lekut ka favorizuar importet, duke bërë që mallrat e huaja të jenë më të lira për konsumatorët shqiptarë. Kjo ka krijuar një konkurrencë të ashpër për prodhuesit vendas, të cilët po përballen me vështirësi për të përballuar produktet e importuara më të lira. Si pasojë, shumë konsumatorë dhe biznese po mbështeten gjithnjë e më shumë te mallrat e huaja, duke dobësuar industrinë vendase.

Rënia e çmimeve të mallrave të importuara dhe kostot e ulëta kanë dekurajuar investimet në sektorët prodhues vendas. Ky trend mund të çojë në një varësi afatgjatë të Shqipërisë nga importet, duke dëmtuar perspektivën për zhvillimin ekonomik të vendit.

Për shkak të këtyre faktorëve, shumë prodhues vendas po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës. Fabrikat më të vogla po falimentojnë, ndërsa të tjerat po ndryshojnë strategjitë për t’u përshtatur me situatën e re. Ndërkohë, rritja e pagës minimale dhe zhvendosja e klientëve historikë në vende me kosto më të ulëta prodhimi po përkeqësojnë më tej gjendjen.

Kjo situatë kërkon vëmendje urgjente dhe strategji të qarta për të mbështetur prodhuesit vendas dhe për të balancuar raportin mes eksporteve dhe importeve në favor të zhvillimit ekonomik të vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit