Një rast shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Urgjenca e Pediatrisë në QSUT, ku një prind ka denoncuar mungesën e organizimit dhe vonesat e papranueshme për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.
Fëmija i tij, me temperaturë 40°C, është detyruar të presë në një radhë prej 70 pacientësh, ndërkohë që vetëm një doktoreshë po trajton të gjithë të sëmurët.
Prindi, i revoltuar nga situata, shkruan:
"Te lutem publikoje sepse jeni të vetmit që mund t'ju dëgjohet zëri. Kam djalin me temperaturë 40 dhe më bie të pres radhën e 70 vetave. Nuk ka staf fare, një doktoreshë pret të gjithë pacientët këtu te Pediatria."
Në mesazhin e tij, ai thekson se situata është kaotike dhe ka sjellë irritim te prindërit që janë të dëshpëruar për trajtimin e fëmijëve të tyre. Shumë pacientë janë duke pritur për orë të tëra, ndërsa stafi shëndetësor është i pamjaftueshëm për të përballuar fluksin.
"Nuk po e kuptojmë fare çfarë po ndodh. Një herë janë dy doktoresha, një herë ngelet vetëm një. Po bëhen debate të ashpra midis njerëzve dhe stafit. Çdo pacient që futet brenda dhomës kërkon të paktën 15 minuta për t'u trajtuar. E kupton çfarë do të thotë të presësh për 70 veta me fëmijën në temperaturë 40?!"
Ky nuk është rasti i parë që JOQ Albania raporton për kaosin dhe mungesën e organizimit në QSUT. Mungesa e stafit, infrastruktura e dobët dhe fluksi i lartë i pacientëve janë probleme të përsëritura, që dëmtojnë drejtpërdrejt shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.
JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për të përmirësuar shërbimin në Urgjencën e Pediatrisë. Prindërit e dëshpëruar nuk mund të përballojnë më indiferencën e institucioneve ndaj shëndetit të fëmijëve të tyre!