Denoncim: Qumështi Kendamil i shitur në Shqipëri, prindërit dyshojnë për cilësinë dhe vërtetësinë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.01.2025, 21:39

Një prind ka bërë një denoncim publik përmes redaksisë së JOQ Albania, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinalitetin e qumështit pluhur të markës Kendamil, i cili tregtohet në farmaci në Shqipëri. Denoncuesi, i detyruar të përdorë këtë produkt për foshnjën e tij, ka vërejtur dallime të konsiderueshme midis produktit të blerë në farmaci dhe atij të marrë jashtë vendit.

Sipas mesazhit, gjatë periudhës së festave prindi nuk pati mundësi të blinte produktin jashtë vendit, siç bën zakonisht për siguri, dhe u detyrua ta blinte në një farmaci në Tiranë. Megjithatë, disa aspekte ngritën dyshime:

  • Paketimi i produktit: Farmacia deklaroi se qumështi kishte paketim të ri të miratuar nga Kendamil, por prindi vuri re se ky ishte ndryshe nga ai i zakonshmi.
  • Aroma dhe cilësia: Produkti kishte një aromë të pazakontë dhe cilësia e tij ishte e ngjashme me niseshtenë, duke ngritur dyshime për përbërjen.
  • Data e prodhimit: Qumështi i blerë në farmaci kishte një datë prodhimi më të hershme sesa ai i blerë jashtë shtetit.
  • Çmimi i lartë: Denoncuesi theksoi diferencën e madhe të çmimit, ku në Shqipëri një kuti shitet për 4260 lekë, ndërsa në Angli kushton rreth 15 paund (1800 lekë).

Prindi apelon për ndërgjegjësimin e prindërve dhe kërkon ndërhyrje nga institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë dhe origjinalitetin e këtij produkti, duke theksuar se bëhet fjalë për ushqimin e foshnjave.

Mesazhi i plotë:

Pershendetje JOQ! Disa kohë më parë, një qytetar ka bërë një denoncim për qumështin Kendamil që tregtohet në farmaci. Dua të theksoj se unë, si prind, e përdor këtë qumësht nga halli, pasi nuk kam mundësi ta ushqej foshnjën me gji. Duke dashur të kujdesemi sa më shumë për fëmijën, blejmë qumështin më të mirë që mund të gjejmë. Për një kohë të gjatë, e kemi marrë qumështin jashtë shtetit nga frika për cilësinë. Gjatë festave nuk patëm mundësi të udhëtonim dhe e blemë në një farmaci në Tiranë. Paketimi ishte ndryshe nga ai që zakonisht përdorim. Farmacia tha se ky ishte paketimi i ri dhe se Kendamil kishte njoftuar se kështu do të jetë në të ardhmen. Kutia kishte vulën e distributorit Dinoris Sh.p.k., që ka ekskluzivitetin e Kendamil (foto me etiketën). E blemë, por kutia mbante një erë të tmerrshme qumështi pluhur, dhe kur e prekje, dukej si niseshte (foto me një lugë qumështi të blerë në Tiranë dhe një tjetër të marrë jashtë). Pasi morem qumësht nga jashtë, vumë re që data e prodhimit e qumështit me paketim të ri ishte më e hershme sesa data e produktit të blerë jashtë Shqipërisë. Mos të flasim për çmimin: në Angli kushton 15 paund (rreth 1800 lekë), ndërsa këtu shitet për 4260 lekë (të paktën ky lloj në foto; lloje të tjera janë edhe më të shtrenjta). Ju lutem, mos luani me ushqimin e foshnjave, sepse e blejmë nga halli, jo nga qejfi. Po i japim fëmijëve qumësht pluhur. Faleminderit nëse e postoni. Të paktën, kjo mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin e prindërve dhe në shmangien e blerjes së produkteve të dyshimta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit