“Pagat mungojnë, diskriminimi vijon: Si po i shpërfill Ulsi Manja punonjësit e Policisë së Burgjeve?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.01.2025, 21:30

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një tjetër denoncim nga një punonjës i Policisë së Burgjeve, i cili tregon për trajtimin e padrejtë dhe të papranueshëm që ata vazhdojnë të përballen. Ky denoncim vjen ndërkohë që data shënon 9 janar 2025, por efektivët e Policisë së Burgjeve nuk kanë marrë ende pagat e muajit dhjetor.

Kushtet e vështira dhe shpërfillja institucionale janë bërë pjesë e përditshme për këta punonjës, të cilët kryejnë një detyrë të rëndësishme, sfiduese dhe të rrezikshme.

Redaksia jonë ka raportuar më parë për problemet e tyre, përfshirë pagat e ulëta, mungesën e kompensimeve dhe mos sigurimin e transportit. Pavarësisht premtimeve të përsëritura, situata mbetet e pandryshuar, duke nxjerrë në pah një indiferencë të papranueshme nga institucionet përkatëse.

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje JOQ! Ndjesë për shqetësimin. Unë jam një inspektor policie i burgjeve dhe kisha një ankesë, sepse vetëm te ju mund të gjejmë zgjidhje. Nuk është vetëm problemi im, por i të gjithë punonjësve të Policisë së Burgjeve në të gjithë vendin. Sot, më 9 janar, ne ende nuk kemi marrë pagat e muajit dhjetor. Sa për shpërblime, as që i shkon kujt ndërmend për ne. Kolegët tanë të Policisë së Shtetit prej dy vitesh i marrin ushqimet, ndërsa ne jo, edhe pse kemi të njëjtat të drejta me ta sipas ligjit. Ditët e shtuna dhe të diela, që sipas rregullave duhet të paguhen me 125% dhe 150%, na paguhen si ditë pune të zakonshme. Nuk dimë kujt t’i drejtohemi, sepse eprorët thonë vetëm ‘me gjyq i merrni’. Për më tepër, bëjmë 100 km rrugë çdo ditë për të shkuar në punë dhe na japin vetëm 5 mijë lekë të vjetra në muaj për transport, ndërkohë që bileta e autobusit vajtje-ardhje kushton 10 mijë lekë. Praktikisht, paguajnë vetëm për 5 ditë pune bileten e autobusit, kur ne punojmë 24-25 ditë në muaj. Kujt t’i ankohemi? Askush nuk na mbështet."

JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, e drejtuar nga Ulsi Manja, që të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur këtë situatë të papranueshme dhe për të respektuar të drejtat e punonjësve të Policisë së Burgjeve. Këta efektivë përballen çdo ditë me sfida të mëdha dhe meritojnë një trajtim të drejtë, dinjitoz dhe në përputhje me ligjin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit