Sot është publikuar fotografia aktuale e të shumëkërkuarit nga drejtësia, Jani Aliaj. Ai u lokalizua nga Interpol Tirana dhe Drejtoria për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet greke. Pas këtij bashkëpunimi, Aliaj u arrestua në Athinë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Arrestimi i tij ndodhi rastësisht mëngjesin e 31 dhjetorit në Athinë. Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços, një ngjarje e ndodhur më 1 maj të vitit 2016 në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, e kryer për motive hakmarrjeje.
Gjatë kontrollit të të dhënave të tij në sistemin elektronik nga autoritetet greke, u zbulua se ai mbante një kartë identiteti false greke me emrin Aleksan Kreshnik, i lindur në vitin 1976. Për këtë arsye, ai u shoqërua në stacionin e policisë Moskato për hetime të mëtejshme.
Nga verifikimet e mëtejshme në sistem u konstatua se Jani Aliaj ishte arratisur nga burgu i Korfuzit më 1 qershor 2015, pasi kishte shkelur lejen e rregullt 11-ditore. Ai vuante dënimin me burgim të përjetshëm për një ngjarje të ndodhur në vitin 2006 në Athinë, ku akuzohej për vrasjen e një shtetasi shqiptar, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu, autoritetet zbuluan se Aliaj kërkohej në nivel ndërkombëtar për dy raste të tjera vrasjesh, të ndodhura në Shqipëri, në tetor të vitit 2015 dhe në maj të vitit 2016.