Vizita e fundit e Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, në zyrat e IdentiTek SHA, kompani shtetërore e angazhuar në prodhimin e dokumenteve biometrike, ka nxitur reagime të shumta nga vetë punonjësit.
Teksa në rrjetet sociale u publikuan pamje të ambienteve moderne dhe të punës së mirëorganizuara, shqetësimet e punonjësve dhe qytetarëve tregojnë një realitet krejt tjetër.
Pas përfundimit të kontratës me kompaninë private Aleat, qeveria kishte premtuar se kalimi i këtij shërbimi te shteti do të sillte ulje të çmimeve për pasaportat dhe rritje të pagave për punonjësit. Por këto premtime duket se kanë mbetur vetëm fjalë.
Ndërsa drejtuesit e kompanisë gëzojnë paga deri në 15,000 euro në muaj, operatorët dhe teknikët e regjistrimit vazhdojnë të punojnë për vetëm 420 mijë lekë të vjetra.
Kushtet e punës janë tejet të rënda, sidomos në rrethe, ku mungojnë ngrohja, tualetet dhe hapësirat minimale të punës. Për më tepër, operatorët mbajnë barrën kryesore të shërbimit, duke përballuar çdo ditë radhë të gjata qytetarësh, problematika teknike dhe orë shtesë të papaguara.
Edhe çmimet për pajisjen me pasaportë dhe karta identiteti kanë mbetur të pandryshuara, pavarësisht premtimeve për ulje. Për shembull, tarifa për aplikimin standard për pasaportë vazhdon të jetë 7,500 lekë, ndërsa për aplikimet e shpejta arrin deri në 18,000 lekë.
Në kohën e Aleat, punonjësit përfitonin shpërblime si paga e 13-të dhe bonuse të tjera, të cilat tani janë zhdukur plotësisht. Punonjësve u mohohen edhe të drejtat bazike si pushimet vjetore gjatë muajve të ngarkuar, si gusht dhe dhjetor.
DENONCIMI I PLOTË
“Pershendetje JOQ
Marr shkas nga vizita e Ministrit te Brendshem z. Ervin Hoxha qe beri tek zyrat e IdentiTek SHA per te pare mbarevajtjen e prodhimit te pasaportave. Pervec fasades, postime ne rrjete sociale, jam kurioz te di nese zoti minister u interesua per me teper se kaq? Kur kompanise Aleat nuk i rinovuan me kontraten supozohet qe do ishte me mire per qytetaret pasi premtuan qe do kishte ulje te cmimit te kuponave te pasaportave dhe rritje te pagave meqe do ishte 100% shtet por asnje nga kto nuk ndodhi pervec pagave te drejtoreve me nga 15.000€ ne muaj, ndersa Operatoret dhe Tekniket e Regjistrimit me paga 420 mije lek te vjetra. Me kompanine Aleat edhe pse paguante takse shteti 40% kishte shperblime per punonjesit si rrogen e 13 dhe nje shperblim i barabarte me rrogen, ndersa tani qe e mori shteti as nje qindarke shperblim as rritje pagash dhe as ulje te cmimit te kuponave. Puna kryesore ngarkohet ne kurriz te operatoreve e cila eshte hallka e pare, aty ku nis takimi me qytetarin, zgjidhjen e problematikave, radhet e qytetareve, oret shtese, mohimin e te drejtes se lejes vjetore ne muajn gusht dhe dhjetor. Dhe mos te flasim per kushtet e zyres sidomos ato neper rrethe, ku operatoret skan tualete, ngrohje jo e jo po as kushte minimale. Rregullojne vetem zyrat qendrore, e nuk pyesin per me larg
Gjithsesi ju shkruaj per te demaskuar fasadat perfekte qe shesin ne portale ne kurriz te punonjesve qe nuk paguhen aq sa meritojne po me paga qesharake prej 420 mije leke te vjetra 8 ore pune“