Tirana, kryeqyteti me kostot më të larta të jetesës në rajon, lë pas edhe Budapestin

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 09.01.2025, 10:13
Në bazë të indeksit të publikuar nga "Numbeo" në janar 2025, Tirana renditet në vendin e 92-të ndër 141 qytete europiane për kostot e larta të jetesës, duke dalë si kryeqyteti më i shtrenjtë në rajon. Ajo lë pas Beogradin, Shkupin, Sarajevën, Podgoricën, si dhe qytete të tjera si Sofja, Bukureshti dhe Budapesti.

Indeksi i kostos së jetesës matet si përqindje e kostos së Nju Jorkut. Për Tiranën, kjo përqindje është 41.9%, ndërsa për qytete të tjera të rajonit, si Beogradi (39.4%), Podgorica (35%), Sarajeva (33.5%), Shkupi (31.7%) dhe Prishtina (25.3%), vlerat janë më të ulëta. Ky indeks përfshin faktorë si qiratë, shpenzimet mujore pa qira, çmimet e ushqimeve, çmimet e restoranteve dhe fuqinë blerëse lokale.

Një nga faktorët kryesorë që ndikon në koston e jetesës në Tiranë janë çmimet e larta të produkteve ushqimore. Në 2025, indeksi i çmimeve të ushqimeve ishte 42.5%, duke treguar se një banor i Tiranës shpenzon sa 42.5% e një banori në Nju Jork vetëm për ushqime. Shqiptarët harxhojnë mbi 43% të të ardhurave mujore për ushqime, një përqindje shumë më e lartë krahasuar me vendet e tjera europiane.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria ka një indeks më të ulët për qiratë, ku shpenzimet për qira në Tiranë janë vetëm 13.6% e shpenzimeve të një qytetari në Nju Jork. Megjithatë, kombinimi i çmimeve të larta me të ardhurat e ulëta e bën Tiranën një ndër qytetet më të vështira për të përballuar jetesën.

Në lidhje me fuqinë blerëse lokale, Tirana dhe qyteti ukrainas Dnipro renditen më dobët ndër qytetet europiane. Fuqia blerëse në Tiranë është sa 43.1% e mesatares së Nju Jorkut, ndërsa qytete si Sarajeva (63.1%), Podgorica (62.4%), Shkupi (59.8%), Beogradi (57.7%) dhe Prishtina (56.9%) tregojnë fuqi blerëse më të lartë.

Gjithashtu, Tirana është një nga qytetet më të shtrenjta në rajon për çmimet në restorante, me një indeks prej 39.6% të mesatares së Nju Jorkut. Beogradi ka një vlerë të ngjashme (40.9%), ndërsa Podgorica (34.8%), Sarajeva (25.1%), Shkupi (26.6%) dhe Prishtina (21.8%) ofrojnë çmime më të ulëta. Prishtina është veçanërisht e njohur për restorante me çmime shumë më të përballueshme.

Në përmbledhje, ndërsa Shqipëria përballet me sfida si rrogat më të ulëta në rajon dhe çmime të larta për ushqime, qytetet e tjera të rajonit duket se arrijnë të mbajnë një ekuilibër më të mirë midis kostove të jetesës dhe fuqisë blerëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit