Rritet numri i të papunëve në Shqipëri, niveli më i lartë që pas pandemisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.01.2025, 11:04

Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka regjistruar një rritje të numrit të personave që kanë përfituar pagesë papunësie, sipas të dhënave të fundit zyrtare. Në tremujorin e tretë të vitit 2024, numri i përfituesve të pagesës së papunësisë arriti në 3,576 persona, duke shënuar nivelin më të lartë pas krizës pandemike të vitit 2020-2021.

Kjo rritje e numrit të përfituesve të pagesës së papunësisë është pasojë e disa faktorëve, përfshirë zvogëlimin e aktiviteteve të disa bizneseve dhe falimentet në sektorët e industrisë. INSTAT, duke mos publikuar treguesit zyrtarë të punësimit për vitin 2024 për shkak të lidhjes së anketës së forcës së punës me të dhënat e Censit 2023, tregon se sektori i industrisë ka hasur vështirësi, duke u përballur me humbje dhe mbyllje të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Një nga sektorët që ka ndjerë më shumë pasojat e krizës është industria e tekstilit dhe këpucëve. Shoqatat kanë pohuar se rreth 10 mijë punonjës kanë humbur punën gjatë vitit të kaluar në këtë sektor. Shumë nga këta punonjës janë integruar në sektorë të tjerë, ose kanë kërkuar ndihmë nga programet e mbështetjes sociale dhe pagesat e papunësisë. Pagesat e papunësisë janë një mbështetje financiare për personat që kanë humbur vendin e punës. Këto pagesa mund të përfitojnë individët që kanë kontribuar në sigurimet shoqërore për një periudhë të paktën 12 muaj.

Në përgjithësi, tregu i punës në Shqipëri po kalon në një fazë tranzicioni, ku disa sektorë si turizmi dhe ndërtimi po shohin një rritje të kërkesës për punë, ndërkohë që sektori industrial po përballet me rritje të papunësisë. Institucionet ndërkombëtare financiare kanë rekomanduar mbështetje më të fortë për punonjësit që humbasin vendet e punës, për t’i ndihmuar ata të kalojnë më lehtë këtë periudhë të vështirë. Ndërkohë që agjencitë punësimit po sjellin rregullisht punonjës nga Azia dhe Afrika për të plotësuar nevojat e bizneseve në disa sektorë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit