Një murgeshë nga shekulli i 17-të e quajtur Maria Crocifissa della Concezione, ka ngjallur kureshtje të madhe pasi u zbulua një letër e saj e shkruar me një përzierje simbolesh të pazakonta, që besohet të jetë një "Letër e shkruar nga Djalli".
Ngjarja daton më 11 gusht 1676, kur Maria, atëherë 31 vjeç, u gjet në dyshemenë e qelisë së saj në manastirin Palma di Montechiaro, Sicili, me fytyrën e mbuluar me bojë dhe një letër të mbajtur fort në duar. Historitë e kohës pretendojnë se letra ishte një mesazh nga Djalli, që synonte ta largonte atë nga Zoti.
Letra përmbante 14 rreshta me shkrim të koduar, të cilat për shekuj me radhë i kanë bërë historianët dhe arkeologët të përpiqen ta deshifrojnë.
Në vitin 2017, Daniele Abate, drejtori i Qendrës Shkencore Ludum në Itali, shpjegoi se për të deshifruar këtë tekst të çuditshëm, ishte e rëndësishme të analizohej profili psikologjik i murgeshës. "Duhej të dinim sa më shumë të ishte e mundur rreth kësaj murgeshe," tha ai.
Pasi analizuan tekstin me një softuer që krahasoi simbolet me alfabetet e lashta, studiuesit zbuluan se letra përmbante fjalë nga greqishtja e lashtë, latinishtja, alfabeti runik dhe arabishtja. Rezultatet treguan se Maria kishte krijuar një fjalor të ri duke përdorur këto alfabete të ndryshme.
Mesazhi i deshifruar përmbante fraza si: "Trinia e Shenjtë është një peshë e vdekur" dhe "Zoti mendon se mund të çlirojë të vdekshmit. Sistemi nuk funksionon për askënd." Në letër përmendet gjithashtu lumi Styx, që në mitologjinë greke dhe romake ndan botën e të gjallëve nga ajo e të vdekurve.
Sipas Abate, letra tregon shenja të forta se murgesha mund të ketë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor. "Figura e Djallit shpesh është prezente në këto lloj çrregullimesh," tha ai. Dokumentet historike tregojnë se Maria luftonte çdo natë me "Djallin", duke bërtitur dhe kundërshtuar atë që mendonte se ishte një prani e errët.
Ky rast mbetet një mister intrigues, që vazhdon të ngjallë diskutime mes historianëve dhe studiuesve.