Një model i krijuar nga Inteligjenca Artificiale (AI) zbulon pamjen dhe pasojat shëndetësore të një njeriu mesatar britanik pas 30 vitesh, nëse dietat e bazuara te ushqimet ultra të përpunuara (UPFs) vazhdojnë.
Michael, modeli i këtij njeriu të së ardhmes, paraqitet me obezitet të rëndë, lëkurë të mbushur me akne, këmbë të fryra dhe sy të zverdhur. Përveç pamjes, ai vuan nga depresioni, ankthi, astma dhe mungesa e gjumit. Gjithashtu, është në rrezik për diabetin tip 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare, që mund të shkaktojnë sulme në zemër apo goditje në tru.
Sipas një raporti nga kompania "Gousto", ushqimet ultra të përpunuara, si pijet me gaz, ëmbëlsirat dhe ushqimet e gatshme, përbëjnë 57% të dietës mesatare të të rriturve në Britani dhe 66% të fëmijëve. Shifrat tregojnë se Britania konsumon më shumë ushqime të përpunuara sesa çdo shtet tjetër europian, ndërsa obeziteti ka arritur nivele shqetësuese, me 25% të të rriturve dhe 15% të fëmijëve që klasifikohen si obezë.
Studime të ndryshme kanë lidhur këto ushqime me sëmundje të rënda, si kanceri dhe sëmundjet metabolike. Profesor Charles Swanton nga "Cancer Research UK" ka paralajmëruar për lidhjen mes dietave të ulëta në fibra dhe të pasura me sheqer me rritjen e rasteve të kancerit të zorrës së trashë tek të rinjtë.
Ekspertët sugjerojnë një dietë të ekuilibruar me ushqime të freskëta dhe të gatuara në shtëpi për të minimizuar ndikimet e dëmshme të ushqimeve të përpunuara dhe për të parandaluar sëmundjet kronike.