25 bashki në Shqipëri rritën çmimin e ujit në vitin 2024

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.01.2025, 20:29

Në Shqipëri, gjatë vitit 2024, gjashtë shoqëri rajonale të ujësjellësve që mbulojnë 25 bashki të vendit kanë rritur çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura në dëgjesat publike. Sipas të dhënave të Entit Kombëtar të Ujit, rritja varion nga 8.6% për konsumatorët familjarë në Gjirokastër deri në 37.5% për Shkodrën dhe Vaun e Dejës.

Përveç rritjes së çmimit të ujit të pijshëm, shumica e bashkive kanë rritur edhe tarifat e largimit të ujërave të ndotura dhe tarifën fikse të shërbimit. Këto ndryshime kanë shkaktuar shqetësime të mëdha te qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët, duke e bërë barrën financiare të papërballueshme për shumë prej tyre.

Shoqëritë e ujësjellësve argumentojnë se rritja e tarifave është e domosdoshme për mbulimin e kostove operative, përmirësimin e furnizimit me ujë dhe reduktimin e humbjeve të ujit të pafaturuar, të cilat arrijnë deri në 64% të sasisë së prodhuar për shkak të mungesës së matësave dhe problemeve të menaxhimit.

Strategjia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve 2022-2030 parashikon një rritje totale prej 75% të tarifave të ujit deri në fund të dekadës për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të sektorit. Ndërkohë, tre rajone të tjera, Korça, Elbasani dhe Berati, janë në proces shqyrtimi për miratimin e tarifave të reja.

Në nivel kombëtar, furnizimi me ujë për konsumatorët vazhdon të jetë i kufizuar në një mesatare prej 16.6 orësh në ditë, me një përmirësim të lehtë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, sektori i ujit përballet ende me sfida të mëdha, përfshirë humbjet masive në rrjet dhe mungesën e investimeve të duhura për modernizimin e infrastrukturës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit