Një djalë 12-vjeçar nga fshati Pocest, nxënës i klasës së shtatë në shkollën e fshatit Vashtëmi, ka ndërruar jetë pasi u transportua me urgjencë nga spitali i Korçës drejt Tiranës.
Mësohet se i mituri u paraqit fillimisht në urgjencën e spitalit të Korçës me tension të lartë. Pas ekzaminimeve të para, mjekët vendosën transferimin e tij të menjëhershëm në Tiranë për trajtim të specializuar. Ngjarja e rëndë u raportua nga shkolla e fshatit Vashtëmi.
Sipas informacioneve, djali kishte pasur probleme shëndetësore edhe më herët. Ai ishte shtruar në spital dy herë për shqetësime që mund të lidhen me zemrën dhe diabetin. Dhjetë ditë më parë, ai ishte paraqitur në spitalin rajonal të Korçës me simptoma gripi. Pas trajtimit mjekësor, gjendja e tij ishte përmirësuar dhe ai ishte larguar nga spitali më 31 dhjetor.
Megjithatë, pas disa ditësh, i mituri u rikthye në spital për shkak të të vjellave. Analizat zbuluan nivele të larta të glicemisë. Për këtë arsye, ai u dërgua në Tiranë në orët e mëngjesit të djeshëm. Fatkeqësisht, gjatë mbrëmjes së kaluar ai pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së papritur të 12-vjeçarit. Familjarët kanë deklaruar se ai vuante herë pas here nga tensioni i lartë dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore.