Arjon Hasaj ka pranuar se është vrasësi i shtetasit Ramazan Mataj. Ngjarja ndodhi më 4 janar në fshatin Dragoç të Postribës, Shkodër. Në deklaratën e tij për policinë, Hasaj ka rrëfyer detaje mbi aktin duke thënë:
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë, ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat, në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam pasur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër.”
Nga ana tjetër, vëllai i tij, Klisman Hasaj, i dyshuar për ndihmë në sigurimin e kushteve për vrasjen dhe fshehjen e armës, ka mohuar çdo përfshirje duke thënë:
“Nuk kam pasur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, – ka thënë Klisman Hasaj.
Policia e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj, ku dy vëllezërit janë dëgjuar duke folur për ngjarjen. Gjatë këtyre përgjimeve, ka rezultuar se Arjon Hasaj ishte penduar që kishte fshehur armën dhe kishte vendosur ta merrte sërish, duke e groposur më pas në oborrin e shtëpisë për ta pasur të sigurt.
Pas hetimeve, policia ka arrestuar dy vëllezërit dhe ka marrë në pyetje edhe familjarë të viktimës dhe autorëve të dyshuar. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.