Mediat greke raportojnë për regjistrimin e virusit metapneumovirus njerëzor (HMPV) në zonën e Selanikut. Sipas burimeve, rasti i identifikuar është një 71-vjeçar, i cili ndodhet i intubuar në spitalin shtetëror “Papanikolaou” për shkak të simptomave të pneumonisë. Pacienti fillimisht ishte trajtuar në një klinikë private, por përkeqësimi i gjendjes shëndetësore e detyroi transferimin në spitalin shtetëror të Selanikut. Pas testimeve, ai rezultoi pozitiv për virusin HMPV, një virus që aktualisht po përhapet me shpejtësi në Kinë.
Raportohet se e bija e pacientit kishte pak ditë që ishte kthyer nga një udhëtim në Kinë, ku kishte qëndruar për pushime. Ky fakt ka ngritur shqetësime për mundësinë e përhapjes së virusit jashtë Kinës. Rritja e rasteve me virusin HMPV në Kinë ka ngjallur frikë edhe për përhapjen e tij në vende të tjera.
Virusi HMPV është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por mund të çojë në komplikime të rënda, si bronkiti apo pneumonia, veçanërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël. Ky virus i përket të njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe u identifikua për herë të parë në Holandë në vitin 2001. Përhapja e tij ndodh kryesisht gjatë stinëve të ftohta.
Në Kinë është raportuar një rritje e ndjeshme e rasteve me virusin HMPV gjatë javëve të fundit. Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj higjienës dhe shëndetit personal, duke hedhur poshtë pretendimet se spitalet janë tejmbushur me pacientë ose se mund të ketë një pandemi të ngjashme me atë të COVID-19.